Serbia, me përfaqësim të nivelit të lartë në dialogun në Bruksel

22.01.2017 17:18:19

Autoritetet e Beogradit kanë paralajmëruar se të martën do të zhvillohet edhe një raund bisedimesh në kuadër të dialogut me Kosovën, në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar para medieve në Beograd se në takimin e së martës delegacioni i Serbisë do ta ketë nivelin e lartë të përfaqësimit.

Bazuar në atë që e ka thënë ai, në këtë takim do të bisedohet edhe lidhur me situatën e krijuar ditë më parë, me trenin i cili u nis nga Beogradi për në Mitrovicë të veriut, dhe i cili pas reagimeve nga autoritetet e Kosovës u ndalua në Rashkë nga vet autoritetet serbe.

“Serbia do të përfaqësohet në nivelin më të lartë. Do të shkojë kryetari i Republikës, Tomisllav Nikoliq, dhe do të shkoj unë si kryeministër i qeverisë sonë. Mendoj që shqiptarët do t’i sjellin përfaqësuesit më të lartë. Shpresoj që do të ketë arsye të mjaftueshme dhe qasje racionale, në mënyrë që më kurrë të mos përsëritet sjellja e mjeteve luftarake dhe e armëve, në mjediset e banuara me serbe dhe që me këtë të tregohen muskujt dhe që me këtë se dikush po funksionon si shtet, ashtu siç e thonë dhe e paramendojnë ata”, ka thënë Vuçiq.

Ai gjithashtu ka shtuar se për Serbinë është e rëndësishme që të shmangen konfliktet e mundshme.

“Të shmangen provokimet. Besoj që për këtë do të kemi sukses, sepse do të investojmë shumë mund dhe punë, në mënyrë që të sigurojmë ardhmëri ekonomike dhe të sigurt për qytetarët tanë, për njerëzit në Serbi”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë lidhur me takimin e paralajmëruar për ditën e martë në Bruksel e as për nivelin e përfaqësimit të Kosovës në këtë takim eventual.

Pavarësisht përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë për të marrë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me këtë takim, zyrtarët e ekzekutivit nuk kanë qenë të qasshëm.