Serbia po vazhdon angazhimet për të nxitur fitme ndërmjet shqiptarëve dhe të provokojë reagime gjaknxehta të tyre

30.03.2017 15:29:59

Nga Rexhep Kastrati

Është vënë re se Serbia po përpiqet që te shqiptarët të nxisë reagime të pamatura, tribale, dhe arkaike, duke provokuar në forma të ndryshme arkaike. Dhe kjo është rifunksionalizim i formave të hershme kur shqiptarëve u provokohej sedra qoftë duke i paraqitur si trima, apo si frikakcakë, e që bëhet për të nxitur veprime emocioanle, të pamenduara dhe të dëmshme, apo siç quhen në psikologji, veprime autodestruktive. Në kohë më të hershme, kjo mënyrë ka qenë mënyrë e fitmeve ndërmjet vetë shqiptarëve, si formë tribale e të menduarit dhe të vepruarit.

Në kontekstin aktual, provokimet e tilla po bëhen për të nxitur te shqiptarët reagime emocionale dhe konflikuale qoftë me institucionet e shtetit, qoftë edhe në raportet ndrnjerëzore dhe ndëretnike, në funksion të tensionimit dhe të destabilizimit të vendit. Kurse sa i përket frikës, mund të thuhet hapur se mosardhja e Vuçiqit u bë për shkak se ky shtet, kjo Qeveri e Kosovës, për herë të parë gjatë mandatit të saj, është duke u sjellë tamam si shtet dhe po ua tregon vendin zyrtarëve të Sebisë. Ndalimi i presidentit të Serbisë, Nikoliq që të futej në Kosovë; ndalimi i trenit porovokativ; rrëzimi i murit provokativ, si dhe vënia nën kontroll të ligjshëm të lëvizjeve të zyrtarëve serbë, kanë ndikuar që të tregohet një fuqi shtetërore, ligjore e institucionale ndaj Serbisë.

Tashmë, Kosova nuk është më një shtëpi pa gardh ku mund të futet kush të dojë, si të dojë dhe pse të dojë. Dhe kjo është arsyeja e parë dhe kryesorja e mosardhjes së Vuçiqit në Kosovë, të cilit iu dha një leje e kufizuar vetëm për tri orë. Përveç kësaj, Vuçiqit iu kufizua vizita edhe në aspektin e personelit që do ta shoqëronte, duke iu bërë e qartë se nuk duhej të merrte me vete ministrin e Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes. Këto kufizime dhe këto qëndrime të qarta dhe si shtet të Kosovës dhe të qeverisë së saj, natyrisht se kanë demistifikuar fuqinë e Serbisë, e cila gjatë Qeverisë pararendëse të Kosovës, sillej si ia kishte qejfi: fuste xhandarmërinë, zyrtarë serbë vinin e shkonin kur dëshironin dhe ku dëshironin etj. Dhe për ta thyer këtë, Serbia është angazhuar me të gjitha mënyrat, përfshirë edhe luftën speciale kundër Kosovës dhe Qeverisë së saj.

Dhe ndër elementet e kësaj lufte ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe fitmja, përpjekja për të rifunksionalizuar format arkaike të reagimit emocional, gjaknxehtë dhe që do të nxiste reagime të dhunshme, destabilizuese dhe konfliktuale, për të cilin qëllim edhe kanë qenë gjithë ato angazhime të dhunshme, anarkiste, tribale dhe në kufijtë e terrozmit dhe gjithë ajo luftë speciale. Ndërkaq, kjo deklaratë e Gjuriqit është në vazhdën e deklaratës se Vuçiqit e bërë më herët se mund të hyjë në Kosovë kur të dojë, pra një shpërfaqje e muskujve kundrejt Kosovës, dhe se këndejmi edhe pjesë e makinerisë propagandistike dhe politike serbe.