Serbia tashmë po tregon hapur se është ajo e kohës së Milosheviqit: edhe me luftë synon ndryshimin e kufijve në rajon

02.02.2017 17:22:35

Nga Rexhep Kastrati

Serbia është mobilizuar me të gjitha mekanizmat e saj institucionalë vetëm pak orë pas një takimi të keq në Bruksel me Kosovën: Nikoliq ka bërë provokimin e radhës sipas të cilit nëse Kosova po dashka pavarësi nga Serbia, edhe Asociacioni do të kërkojë pavarësi nga Kosova; Vuçiq mbledh strukturat e sigurisë së Serbisë si dhe katër kryetarët e komunave veriore; Sheshel tha se shqiptarët do ta sulmojnë veriun e Kosovës, e Serbia duhet të reagojë. Dhe është për t theksuar se Sheshel, Nikoliq dhe Vuçiq janë të të njëjtës parti, edhe pse Nikoliq dhe Vuçiq kanë themeluar një parti tjetër, por gjitnjë duke mbetur radikalë. E edhe këto tri momente janë vërtet radikale, por që shpërfaqin thelbin e strategjisë së Serbisë ndaj Kosovës: përgatitja e të gjitha institucioneve të sigurisë së Serbisë dhe kryetarët e komunave veriore për të reaguar ndaj gjoja ndonjë sulmi të shqiptarëve ndaj serbëve, e që do të nënkuptonte aneksimin e veriut të Kosovës nga ana e shtetit serb.

Deklarata e Nikoliqit për një paralelizëm ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në fakt synon dy qëllime: të rrisë refuzimin e shqiptarëve për formimin e këtij Asociacioni, si dhe; krijimin e precedentit që do të hapte rrugën për ndarjen e Kosovës, por edhe për ndryshim kufijsh në rajon. Edhe pse Kosova është shtet i pavarur dhe është i njohur nga më shumë se 110 shtete, si dhe anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, kurse Aociacioni është konceptuar si një bashkësi pa kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me kushtetën e Kosovës, Nikoliq mëton të krijojë përshtypjen se me t’u krijuar ky Asociacion do të kërkojë shkëputjen nga Kosova, dhe kështu të kundërshtohet themelimi i tij nga shqiptarët. Në fakt, Serbia ka deklaruar se nuk pranon Asociacionin e Isa Mustafës dhe të Hashim Thaçit siç janë shprehur serbët, por do ta themelojnë vetë dhe do t’ia caktojnë kompetencat vetë. Në këtë mënyrë, Serbia kishte bërë të qartë se nuk është e interesuar për Asociacionin sipas marrëveshjes së Brukselit dhe sipas vëretjeve të Gjyaktës Kushtetuese të Kosovës, por, po ashtu, nuk është në pozitë që ta kundërshtojë zyrtarisht në Bruksel. Prandaj, po provokon shqiptarët që ta kundërshtojnë këtë. Në anën tjetër, paralelizmi po bëhet edhe për shkak të Republika Srpskës në Bosnjë, që në shembullin e Kosovës, të realizojë shkëputjen nga Bosnja. Dhe arsye e tretë lidhet me shqetësimet që ka Serbia se në fund të negociatave, do të jetë e detyruar ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në këtë mënyrë, Serbia do të kushtëzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës me shkëputjen e veriut të saj. Kjo tezë ka mbështetës edhe në Kosovë, kryesisht nga sekta okulte e Albini dhe në përgjithësi nga linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste. Vetëm pak ditë më parë ishte riaktualizuar teza për ndarjes së Kosovës, e kamufluar si shkëmbim territoresh.

Në anën tjetër, mbledhja urgjente që Vuçiq ka ftuar me urgjencë me strukturat e sigurisë të Serbisë dhe të kryetarëve të komunave veriore, është një sinjal se Qeveria në Beograd është duke u përgatitur për të provokuar Kosovën në të gjitha format që nga ato të protestave të qytetarëve, me ndonjë sulm të tipit “Panda”, që do të shërbenin si shkas për të ndërhyrë forcat e sigurisë së Serbisë në veri, gjoja për të shpëtuar serbët nga sulmet e shqiptarëve. Në këtë linjë është edhe deklarata e Sheshelit për sulm të shqiptarëve ndaj serbëve në veri. Pra, Serbia po heq maskat, dhe me gjasë shumë shpejt do të kemi zhvillime shumë dinamike në Kosovë. Dhe këto zhvillime priten të shihen në momentin e rrënimit të murit në veri, e deri te tentativa për ta shpallë Asociacionin jashtë marrëveshjes së Brukselit. A është në këtë funksion edhe vizita e Edi Ramës në Kosovë ku qndroi në selinë e AAK-së, mbetet të shihet, por gjithsesi Serbia është duke llogaritur në rritjen e radikalizmit dhe të patriotizmit emocional të shqiptarëve që do të mund të rezultonin me tensionim të brendashqiptar deri në ndonjë luftë të brendashqiptare, qo do të rrënonte shtetin dhe do t’i hapte rrugë pikërisht ndarjes së Kosovës.

Deklarata e Nikoliqit, mbledhja e urgjente e Vuçiqit me struturat e sigurisë së Serbisë dhe me kryetarët e komunave veriore, si dhe deklarata e Sheshelit, vetëm pak orë pas takimit të keq në Bruksel, janë dëshmi se Serbia është në panik nga zhvillimet në Bruksel dhe ka qenë në siklet të madh. Në bazë të këtyre zhvillimeve, duket se Serbisë i është bërë e qartë se Asociacioni që mund të shpallet eventualisht nuk do të jetë legjitim dhe se në fund do të duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës. Pra, Serbia është duke përjetuar krizë të thellë dhe të vetmen zgjidhje po e sheh përgatitjen e terrenit për aneksimin e veriut të Kosovës.

Përkundër këtyre, Kosova me këmbëngulje duhet të ketë kujdes, sepse nuk guxon të gabojë dhe të bjerë në kurthet që do të ngrejë Serbia qoftë me përgatitjen e ndonjë grupi shqipfolësish që do të mund të sulmonin ndonjë serb, ndonjë objekt kulti apo që do të realionin çfarëdo sulmi joligjor në veri, qoftë edhe me ndonjë rast si rasti “Panda”. Është e qartë se bashkëpunëtorët shqiptarë të Dragana Trifkoviqit, të Darko Shariqit, të Franko Simatoviqit, të Jovica Stanishiqit dhe të tjerëve si këta, por edhe të shërbimeve sekrete tjera kundërshqiptare, do të lëshohen në një fushatë agresive, të dhunshme, tribale dhe anarkiste për të kryer urdhërat e marra nga Serbia, nga Rusia dhe nga aleatë të tyre për rrënimin e shtetit dhe destabilizimin e vendit, por Kosova duhet të jetë e përgatitur për të gjitha situatat dhe të mos bjerë në provokime, edhe nëse sto bëhen në emër të patriotizmit. Kosova nuk guxon të gabojë, por duhet të bëjë gjithçka që të ruajë stabilitetin e saj dhe qëndrueshmërinë e saj, dhe të bartë agresivitetin ndaj Kosovës në ballafaqim me bashkësinë ndërkombëtare.