Seria A, Milani përmbys rezultatin në fund

04.12.2016 16:57:32

Milani ka marrë me shumë vështirësi 3 pikët ndaj Krotones. Në ndeshjen e luajtur në “San Siro”, kuqezinjtë e panë veten në disavantazh në minutën e 26, pas një kundërsulmi të finalizuar nga Falçineli.

Por, në fundin e pjesës së parë ishte Pashaliç ai që barazoi rezultatin (41’). Gjithçka dukej se po shkonte mirë për Milanin edhe në fillimin e pjesës së dytë, kur në minutën e 51, Lapadula fitoi një 11-metërsh. Pas një “sherri” me Niangun se kush do e godiste penalltinë, ishte sulmuesi francez ai që e mori përsipër, por goditja e tij u prit nga portieri i Krotones.

Goli i përmbysjes për skuadrën e drejtuar nga Vinçenco Montela do të vinte vetëm në minutën e 86, atëherë kur Lapadula përfitoi nga një top i mbetur në zonë për të shënuar golin e fitores për Milanin.

Milani renditet për momentin në vendin e dytë të renditjes së Serisë A, 4 pikë më pak sesa Juventusi kryesues.