Shala i kundërpërgjigjet Rakiqit: S’ka kompromis për murin, do të largohet

16.01.2017 15:49:32
Kuvendi i Kosovës në fund të dhjetorit ka miratuar një rezolutë për çështjen e murit të ndërtuar në veri, aty thuhet, se muri duhet të hiqet nga autoritetet lokale deri më 31 janar.
Por, kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka ri-bërë të ditur duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të udhëheqësve të institucioneve qendrore në Prishtinë, se muri i ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës, nuk do të rrënohet edhe pse një gjë të tillë tashmë e thotë ligji.

Sipas tij, një gjë e tillë nuk do të ndodh, pasi siç thotë, Kosova dhe Serbia janë marrë vesh në Bruksel që të rivitalizohet ura kryesore mbi lumin Ibër, përkatësisht që në rrugën “Kral Petar”.

Mirëpo, ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, i ka thënë lajmi.net, se do të veprohet sipas ligjit, duke lënë të kuptojmë se nëse nuk veprojnë autoritetet e Veriut, do të veprojnë autoritetet shtetërore dhe do hiqet muri.

“Tani kemi një rezolutë të Kuvendit të Kosovës, e cila është shumë serioze dhe tani më gjitha institucione e vendit e kanë parasysh këtë situatë. Instancat më të larta të shteti janë ka merren më këtë problematike dhe për çdo gjë do të jeni të informuar për këtë punë”, tha ai.

Sipas tij, ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë do të zbatoj çdo qëndrim që japin institucionet me të larta të vendit.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, është në situatë që në çdo moment t’i zbatojë qëndrimet e nivelit më të lartë të shtetit”, deklaroi Shala.

Ministri Shala, po ashtu tha, se nuk do të ketë aspak kompromis për ata që e shkelin ligjin.

“Është çështje qeveritare, është çështje e instancave më të larta të shtetit dhe këtu nuk ka kompromis në raport me ligjin”, theksoi krejt në fund Shala. /Lajmi.net/

Ferat Shala