Shasha: Takimi Haradinaj – Merkel nuk do t’i sjellë Kosovës liberalizimin e vizave për muajin qershor

22.05.2019 15:44:27

Liberalizimi i vizave, dialogu mes Kosovës e Serbisë dhe zhbllokimi i tij, heqja ose pezullimi i taksës ndaj produkteve serbe e boshnjake, pritet të jenë disa nga temat të cilat kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do t’i diskutoj në takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Në këtë takim, i cili do të mbahet më 6 qershor të këtij viti, Haradinaj do ta kërkojë mbështetjen e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, si dhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Demush Shasha nga Instituti Epik në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se takimi i ardhshëm të Haradinajt dhe kancelares Merkel duhet shikuar si takim pozitiv.

“Fillimisht duhet nënvizuar se është jashtëzakonisht pozitive që Kosova vazhdon të gëzoj përkrahjen dhe vëmendjen e Gjermanisë, qoftë në kuadër të raporteve tona bilaterale apo multilaterale. Kjo është në veçanti e rëndësishme, në kontekstin e sotëm kur kohëve të fundit ka pasur tendenca të udhëheqësve të caktuar të Kosovës, të udhëhequr nga Presidenti i vendit, për të dëmtuar aleancën strategjike mes Gjermanisë dhe Kosovës. Prandaj, në ketë drejtim duhet parë si pozitiv takimin e ardhshëm mes Kryeministrit Haradinaj dhe Kancelares Merkel”, ka thënë ai

Shasha ka theksuar se nga ky takim pret të vazhdojë diskutimi i filluar në kuadër të Samitit të fundit të Berlinit sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket temave të takimit, mund konkludojmë se takimi po organizohet në vazhdën e intensifikimit të vëmendjes së politikës së jashtme të Gjermanisë drejt Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim pres që takimi i ardhshëm të vazhdojë diskutimin e filluar në kuadër të Samitit të fundit të Berlinit sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe në këtë drejtim, takimi do të jetë mundësi e mirë që kanclearja Merkel dhe kryeministri Haradinaj të shkëmbejnë idetë dhe qëndrimet e tyre sa i përket vazhdimit të dialogut. Prandaj, takimi do të shërbejë si mundësi e përafrimit të qëndrimeve të të gjitha palëve para takimit të korrikut në Paris”, ka theksuar ai.

Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, që pritet të diskutohet në këtë takim, Shasha ka theksuar se duhet të qartësohet se kjo gjë deri në muajin qershor është e pamundur.

Sipas tij gjatë këtij vitit kalendarik është e mundshme të ketë vendimmarrje nga institucionet e BE-së, që do të hapte mundësinë e lëvizjes së lirë në 2020.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, duhet bërë e qartë se liberalizimi i vizave deri në muajin qershor është absolutisht i pamundur. Gjëja më pozitive e mundshme është që gjatë këtij viti kalendarik të kemi vendimmarrje pozitive nga ana e institucioneve të BE-së, gjë që do të hapte mundësinë e lëvizjes së lirë në vitin 2020. Edhe pse duhet thëne edhe ky skenar është një skenar mjaft optimist”, është shprehur ai.

Ndërsa në njoftimin nga zyra e kryeministrit lidhur me takimin e tij në Bruksel thuhet se Haradinaj në fillim të qershorit do të udhëtojë për në Berlin në një vizitë dyditore ku do të marr pjesë në ‘Lutjet e mëngjesit’.

“Me ftesë të kreut të Bundestagut gjerman do të marrë pjesë në ‘Lutjet e mëngjesit’, që organizohen atje. Pastaj do të ketë takime me deputetë të Bundestagut, si dhe më 6 qershor do të zhvillojë një takim pune me kancelaren Merkel. Tashmë dihet se kërkesat e kryeministrit Haradinaj janë mbështetja e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, për dialogun dhe për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale”, thuhet në përgjigjen e tyre”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, ditë më parë Haradinaj ka thënë se gjatë Samitit të Berlinit në Gjermani i është premtuar liberalizimi i vizave, ndërsa ka pohuar se si kohë opcionale mund të jetë shtatori.