SHBA dhe aleatët nisin sulmin me raketa ndaj Sirisë

14.04.2018 09:31:29

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë nisur sulmet ndaj Sirisë mëngjesin e sotëm. Pas kërcënimeve të shumta, Donald Trump i tregoi Rusisë së nuk i trembet askujt.

Operacioni është në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik, që ka ndodhur javën e kaluar në qytetin sirian, Duma.

Në fjalimin drejtuar kombit, të premten vonë, Trump tha: “Masakra e fundit është një përshkallëzim i madh i përdorimit të armëve kimike nga një regjim shumë i tmerrshëm. Sulmet janë urdhëruar mbi caqet e lidhura me kapacitetet e armëve kimike të Qeverisë siriane”.

Sipas presidentit amerikan, qëllim i sulmeve është të krijohet një pengesë e fuqishme kundër prodhimit, përhapjes dhe përdorimit të armëve kimike.

“Këto nuk janë veprime të një njeriu; ato janë krime të një përbindëshi”, tha Trump për presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Qeveria siriane ka mohuar se ka kryer sulmin kimik, i cili besohet se ka lënë dhjetëra njerëz të vrarë.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e konfirmoi përfshirjen britanike në fushatën ushtarake ajrore, duke thënë se nuk ka pasur asnjë alternativë praktike për përdorimin e forcës. Ajo po ashtu tha se sulmet nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e regjimit.

Pjesëmarrjen në operacion e konfirmoi edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Nga ana tjetër Rusia, aleate e Sirisë, paralajmëroi se sulmet e Perëndimit rrezikojnë të nisin luftën midis dy palëve.