SHBA, gjithmonë me shqiptarët

06.11.2016 08:38:51

Politika e Jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbetet e njëjtë ndaj Kosovës, pavarësisht nëse president i SHBA-ve zgjidhet demokratja Hillary Clinton apo republikani Donald Trump. Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se diplomacia amerikane ndërtohet mbi baza afatgjata dhe nuk ndryshon “brenda ditës”. Presidenti i ri, sipas tyre, e vazhdon njëtrajtshmërinë e mbështetjes ndaj Kosovës dhe shqiptarëve

Politika e Jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë koherente ndaj Kosovës, pavarësisht nëse në krye të Shtëpisë së Bardhës do të vijë kandidatja demokrate Hillary Clinton apo ai republikan Donald Trump.

Kështu vlerësojnë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të politikës së jashtme amerikane.

Kjo pasi, sipas tyre, politikat e jashtme amerikane ndërtohen mbi baza afatgjata dhe se kornizat e këtyre politikave i vendos Kongresi, ndërsa presidenti i zbaton ato.

Megjithatë, nuk mohohet fakti që rasti i kandidatit republikan Donald Trump është më specifik për shkak të dallimeve që ky i fundit ka edhe me partinë e tij sa i përket shumë çështjeve.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti,se parimisht nuk do të duhej të ndryshonin marrëdhëniet në mes të SHBA-ve dhe Kosovës, madje ai thotë se edhe në bazë të praktikave të deritanishme politika e jashtme amerikane nuk ka ndryshuar pavarësisht nëse presidenti ka qenë republikan apo demokrat.

“Parimisht nuk do të duhej të ndryshonin raportet në mes të dyja vendeve. Nëse ndalemi edhe në praktikën e deritashme, pavarësisht kandidatëve demokratë ose republikanë, është dëshmuar që politika e jashtme në përgjithësi dhe në veçanti ndaj Ballkanit e shqiptarëve nuk ka ndryshuar. Madje shtetet e fuqishme, siç është rasti i Shteteve të Bashkuara, nuk ndryshojnë qasjen e tyre sepse politikat e tyre të jashtme ndërtohen mbi baza afatgjata dhe jo afatshkurtra”, ka vlerësuar Hoti.