SHBA “godet përmes turizmit” Erdoganin, udhëzon qytetarët: Mos udhëtoni në Turqi!

12.04.2019 23:32:38

Përmes një udhëzimi të posaçëm, Departamenti amerikan i Shtetit u kërkon qytetarëve amerikanë të mos udhëtojnë në Turqi.

DASH e rendit shtetin turk në kategorinë “3” të rrezikut, ndërsa disa zona afër kufijve të Sirisë dhe Irakut i klasifikojnë në kategorinë “4” të rrezikut.

Sipas kësaj direktive të udhëtimit, amerikanët që synojnë të udhëtojnë në Turqi mund të jenë viktima të sulmeve terroriste dhe rrëmbimeve, por mund të mbahen ose burgosen si të dyshuar nga autoritetet turke.

DASH kujton se kohët e fundit qytetarët amerikanë u arrestuan ose u burgosën pa ndonjë dëshmi apo aktakuzë, përcjell oranews.tv.

Vëzhguesit diplomatikë theksojnë se kjo direktivë e re e udhëtimit është një tjetër hap drejt përkeqësimit të marrëdhënieve SHBA-Turqi.

Më konkretisht, direktiva e udhëtimit thotë:

“Qytetarëve të Shteteve të Bashkuara u kërkohet të rishikojnë udhëtimin në Turqi për shkak të terrorizmit dhe arrestimeve arbitrare”, duke paralajmëruar se “zona të caktuara janë në rrezik më të madh (4) në kufirin me Irakun dhe Sirinë”.

Përveç rreziqeve për ndonjë sulm terrorist dhe rrëmbim, Ministria e Jashtme amerikane njofton se autoritetet turke kanë mbajtur qytetarë të SHBA-së për lidhje të dyshuara me organizatat terroriste, në bazë të pak ose aspak dëshmive dhe arsyet duket të jenë të motivuara politikisht.

SHBA paralajmëron qytetarët se “grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme ndaj Turqisë. Terroristët mund të sulmojnë me ose pa paralajmërim, me shënjestër vendet turistike, stacionet e transportit, tregjet/qendrat tregtare, objektet qeveritare lokale, hotelet, klubet, restorantet, vendet e kultit, parqet, ngjarje të mëdha sportive dhe kulturore dhe hapësira publike”.

Sipas njoftimit, shtetasit e SHBA-së gjithashtu kanë qenë subjekt i ndalimeve dhe arrestimeve të udhëtimit për shkak të pjesëmarrjes “në ngjarje që nuk janë aprovuar qartë nga qeveria turke, si dhe kritikave të qeverisë nëpërmjet mjeteve të rrjeteve shoqërore”.