SHBA: Imigrantët e paligjshëm informohen për të drejtat e tyre

08.01.2017 22:13:13

Në skaje të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, grupe lokale po informojnë imigrantët pa dokumente për të drejtat e tyre në rast se ndalohen nga organet e rendit. Ata shprehen se ky mision është bërë nevojë urgjente në pritje të reformave të thella që është zotuar të zbatojë presidenti i ardhshëm Donald Trump në politikat e imigracionit.

Dëgjohet një trokitje e fortë… në sallë bie qetësia. Pikërisht këtë efekt do të arrijë organizatori i kursit informativ, shoqata “Casa de Maryland”, në Hyattsville.

Në kurs kanë ardhur rreth 100 vetë për të mësuar si të mbrojnë veten dhe familjen në rast të bastisjes apo arrestimit nga autoritetet e imigracionit.

Organizatorët e kursit duan t’i ndihmojnë imigrantët të mësojnë se kanë të njëjtat të drejta kushtetuese, pavarësisht se në ç’zonë të Shteteve të Bashkuara ndodhen, raporton Voa.

“Ne të gjithë duhet të jemi të mirëinformuar për këto të drejta dhe të kërkojmë zbatimin e tyre. E drejta për të mos iu përgjigjur pyetjeve. E drejta për të kërkuar avokat nëse arrestohesh. E drejta për t’u dhënë autoriteteve vetëm emrin dhe faktin që banon në Maryland,” thotë Alma Couvorthie, një aktiviste.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump është zotuar të luftojë imigracionin e paligjshëm duke thënë se do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit me Meksikën dhe se do të deportojë miliona vetë që ndodhen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

“Trumpi ka shumë pushtet, asaj i trembemi,” thotë Maria Herrera, një imigrante e paligjshme.

Maria Herrera ka marrë mbrojtje përmes Aktit për Imigrantët e Ardhur në Fëmijëri, një program i krijuar me urdhër ekzekutiv të Presidentit Obama që mbron imigrantët pa dokumente nëse kanë ardhur në.

Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur. Zonja Herrera thotë se presidenti i ardhshëm Trump mund ta anulojë këtë program.

“Më ka kapur një ankth i madh pasi mendoj se çfarë mund të bëjë Donald Trumpi nëse një ditë vendos ta anulojë programin; shumë njerëz do të ndahen nga familjet. Kam ardhur këtu për t’u informuar, pasi unë nuk di shumë gjëra, por këta njerëz janë të informuar,” thotë Maria.

Dan Stein është president i Federatës për Reforma Amerikane në Imigracion. Ai thotë se e kupton që është situatë e vështirë për njerëz si Maria Herrera, por shton se në fund të fundit, kurse të tilla e bëjnë të vështirë zbatimin e ligjit.

“Në realitet, këto organizata e bëjnë më të vështirë që autoritetet e rendit të analizojnë se kush ka të drejtë të jetojë këtu dhe kush jo, thjesht duke penguar zbatimin e ligjit për imigracionin”, thotë zoti Stein.

Ka njerëz që po përgatiten shpirtërisht për një goditje ndaj imigracionit të paligjshëm me fillimin e presidencës Trump, por të tjerë duan të jenë sa më të informuar para se ai të fillojë mandatin.

“Ky është atdheu im. Nuk kam lindur këtu, por jam rritur këtu. Zgjohem çdo ditë, këtë realitet njoh. Nuk njoh vend tjetër, prandaj s’kam frikë,” thotë Jose Manuel Perez, një imigrant i paligjshëm.

Zoti Trump është shprehur se e kupton situatën e 741 mijë vetëve që mbrohen nga akti për imigrantë të ardhur në moshë të mitur, por ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta anulojë këtë akt.