SHBA mbështet transformimin e FSK-së në Ushtri

14.02.2017 14:40:03

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Haki Demolli priti në takim një delegacion nga Departamenti amerikan i Shtetit në krye me Matthew Palmer, drejtor për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore.

Në takim u bisedua për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend,  procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës(FSK) si dhe rreth bashkëpunimit dypalësh të Kosovës me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, me partnerët strategjikë dhe me shtetet tjera partnere të vendit tonë.

Ministri Haki Demolli e njoftoi drejtorin Palmer mbi situatën e sigurisë në vend, zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe zhvillimet rreth procesit të saj të transformimit, planet e Ministrisë dhe Qeverisë lidhur me procesin e transformimit, gatishmërinë për transparencë në këtë proces si dhe domosdoshmërinë e koordinimit me NATO-n, partnerët strategjikë (SHBA, Gjermani, Britani e Madhe, etj).

Demolli tha se Kosova synon ndërtimin e një force shumetnike, mbrojtëse dhe e gatshme për t’i kontribuar paqes në rajon dhe më gjerë.

Gjithashtu ministri shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin e NATO-s në ruajtjen e paqes në Kosovë përmes trupave të KFOR-it.

Ai po ashtu tha se, aktualisht Republika e Kosovës është duke u përpjekur seriozisht që të zhvillojë dhe konsolidojë mekanizmat e saj të sigurisë për të ardhmen, gjithnjë bazuar në konsensus politik të brendshëm dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar.

Ndërkaq, Matthew Palmer shprehu mbështetje të plotë për rrugën euroatlantike  të Kosovës.

“Ai tha se SHBA-ja mbështet transformimin e FSK-së në FAK dhe angazhohet që ky  proces të jetë i mbështetur nga të gjitha palët në Parlamentin e Kosovës”, thuhet në njoftim.