SHBA, Nishani takon kreun e komunitetit hebraik: Të ruajmë kulturën nga ekstremizmi i verbër

22.09.2016 11:13:34

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takua dhe zhvilloi disa takime pune me Presidentin e Kongresit Botëror Hebraik (ËJC) dhe delegacionin që e shoqëronte, me përfaqësues të organizatës hebreje B’Nai B’rith, si dhe me themeluesin dhe drejtuesin e Forumit për Diplomacinë Kulturore, Dr. Gregory Lafitte.

Lauder dhe anëtarët e tjerë të KBH-së e falënderuan Presidentin Nishani për qëndrimin që vendi ynë ka mbajtur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duke vlerësuar Shqipërinë si një vend miqësor ndaj hebrenjve dhe Izraelit.

Duke vënë në dukje se mes kombit shqiptar dhe atij hebre ekzistojnë një miqësi dhe partneritet i veçantë historik dhe vlera e parime të përbashkëta, të cilat u forcuan edhe më shumë gjatë periudhës së errët të Holokaustit, Presidenti Nishani theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë si me Shtetin e Izraelit, ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të thellohen e të zgjerohen edhe më tej, sidomos në fushën ekonomike.

Duke pasur parasysh burimet e shumta e të pasura natyrore, klimën dhe pozicionin gjeografik të favorshëm, legjislacionin lehtësues, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Presidenti Lauder ndanë bindjen e përbashkët se investimet e sipërmarrësve izraelitë dhe atyre hebreo-amerikanë duhet të jenë më të pranishme dhe në rritje me projekte konkrete në Shqipëri për vetë potencialet dhe mundësitë e mëdha që vendi ynë ajo ofron në fusha si turizmi, hoteleria, bujqësia, etj.

Drejtuesi Gary Saltzman dhe anëtarët e tjerë të Organizatës B’Nai B’rith, e cila shquhet për rolin e saj në mbrojtjen dhe avokacinë e hebrenjve dhe Izraelit, vlerësuan veçanërisht strehimin dhe shpëtimin mbresëlënës që Shqipëria u ofroi hebrenjve gjatë Holokaustit.

Duke ndarë të njëjtën pikëpamje me Presidentin Nishani, ata u shprehën se ky shembull pozitiv historik i shqiptarëve duhet të promovohet edhe më tej në botë, sepse duke pasur parasysh sfidat dhe rreziqet e terrorizmit, të ekstremizmit e të antisemitizmit në ditët e sotme, ai shpëtim i rrallë, së bashku me harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, mbeten shumë aktuale dhe frymëzuese edhe në ditët e sotme.

Presidenti Nishani, duke nënvizuar se historia e mikpritjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka hasur një jehonë të gjerë edhe përtej kufijve të kontinentit evropian e më gjerë, i çmoi këto takime si shprehje e miqësisë së konsoliduar dhe partneritetit mes dy kombeve, u shpreh se duhet: “Të ruajmë kulturën, identitetin, civilizimin dhe vlerat e përbashkëta që po kërcënohen seriozisht nga terrorizmi, ekstremizmi i verbër dhe urrejtja”.

“Kjo përvojë pozitive si dhe miqësia e konsoliduar historike i ka forcuar më shumë marrëdhëniet e gjithanshme mes popujve tanë, por edhe mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit, si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu.” – vuri në dukje Presidenti Nishani.

Ndërsa në takimin me Dr. Gregory Lafitte, drejtuesin e Forumit për Diplomacinë Kulturore Kryetari i Shtetit shqiptar vërejti se gjesti fisnik i shqiptarëve në shpëtim dhe strehim të hebrenjve si dhe modeli unik i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vendin tonë, mund të shërbejnë jo vetëm si shembuj për të rritur imazhin e Shqipërisë, por edhe si mjete efektive për diplomacinë kulturore në përpjekjet e saj të luftës kundër mungesës së tolerancës dhe ekstremizmit, si dhe për shkëmbimin e kulturave dhe trashëgimisë së vyer për brezat e ardhshëm.

Presidenti Nishani ndau me bashkëbiseduesit gjatë këtyre takimeve pikëpamjen e përbashkët se mbështetja aktive e Kongresit Botëror Hebraik dhe organizatave të tjera të ngjashme hebreje në Izrael, Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, padyshim që do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.