SHBA publikon 2800 dosje për vrasjen e Xhon Kenedit

29.10.2017 12:27:31

Qeveria amerikane ka publikuar më shumë se 2800 dosje mbi vrasjen e presidentit Xhon F Kenedi në vitin 1963. Presidenti Tramp është shprehur se publiku meritonte të ishte plotësisht i informuar për atë ngjarje, e cila ka qenë subjekt i një sërë teorish konspiracioni.

Por disa dokumente janë mbajtur të klasifikuara me kërkesë të agjensive qeveritare.
Një nga memot tregonte se FBI-ja kishte paralajmëruar policinë në atë kohë për kërcënimin që i kanosej jetës së vrasësit Li Harvi Osvald. “Ne njoftuam menjëherë shefin e policisë dhe ai na siguroi se Osvaldit do ti jepej mbrojtje e mjaftueshme” shkruante drejtori i FBI-së Xhei Edgar Huver.

Li Harvi Osvald, një ish marins dhe i vetëdekluar marksist, u vra në bodrumin e departamentit të policisë dy ditë pas vrasjes së presidentit Kenedi.

Gjetje të tjera përfshijnë një memo të CIA-s që sugjeronte se Osvald kishte folur me një oficer të KGB-së në ambasadën ruse në Meksiko City. Memoja thotë se oficeri i KGB-së me të cilin kishte folur Osvald punonte për një departament përgjegjës për sabotim dhe vrasje.
Një tjetër memo tregonte se zyrtarët sovjetikë kishin frikë se një gjeneral i papërgjegjshëm do të lëshonte një raketë në Bashkimin Sovietik pak pas vdekjes së presidentit Kenedi.
Një memo e tretë tregon sesi një gazetë rajonale britanike, konkretisht “Kembrixh Njuz”, kishte marrë një telefonatë anonime për një lajm të madh në SHBA, pak orë para vrasjes së ish presidentit. Një kopje e kësaj memo ishte lëshuar nga Arkivat Kombëtare në SHBA që në muajin korrik, por nuk ishte raportuar deri tani.