SHBA, sanksione ndaj udhëheqësit ushtarak të Mianmarit

21.12.2017 22:11:27

Shtetet e Bashkuara vendosën të enjten sanksione ndaj një drejtuesi ushtarak të Mianmarit, i cili përballet me akuzat se ka udhëhequr një fushatë spastrimi etnik kundër myslimanëve Rohinga.

Gjenerali Maung Maung Soe ishte mes 52 të akuzuarve për shkelje të të drejtave të njeriut në mbarë botën, ndaj të cilëve departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione.

Gjithashtu në listë përfshihet edhe ish presidenti i Gambias Yahya Jammeh, që siç thonë autoritetet amerikane, krijoi një skuadër me qëllimin për të vrarë individë që ai mendonte se kërcënonin autoritetin e tij.

Sanksione u vendosën gjithashtu ndaj Mukhtar Hamid Shah-it, një kirurg pakistanez, i cili besohet se është përfshirë në trafikun e organeve njerëzore, siç njoftoi departamenti i Thesarit.

Gulnara Karimova, vajza e diktatorit të ndjerë të Uzbekistanit, ishte gjithashtu në shënjestër të sanksioneve, pasi është akuzuar për mbështetje të aktiviteteve të një organizate kriminale me prona në një vlerë më shumë se 1.3 miliardë dollarë.

Sanksionet u vendosën në kuadrin e aktit “Magnitsky” për llogaridhënien, i cili autorizon qeverinë amerikane t’u vendosë sanksione individëve të huaj për shkelje të të drejtave të njeriut dhe korrupsion, duke i dhënë SHBA-së mundësinë që t’i mbajë këta individë, përgjegjës për sjelljet e tyre.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se sanksionet do të ndihmojnë në garantimin e sigurisë së SHBA-së dhe aleatëve të saj dhe se janë dëshmi e angazhimit amerikan për mbrojtur të drejtat e njeriut dhe luftën kundër korrupsionit.