SHBA-të dhe Gjermania mendojnë njëjtë për Kosovën, kërkohet heqja e taksës

06.04.2019 15:12:42
Ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott dhe ai gjerman Thomas Schieb janë bërë bashkë për të demantuar mediat serbe se kanë dallime sa i përket Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët, Scott dhe Schieb kanë thënë se përkrahin dialogun, pajtimin dhe heqjen e taksës për t’i hapur rrugë vazhdimit të bisedimeve ndërmjet dy shteteve.

“Në këtë kuptim, SHBA-ja dhe Gjermania mendojnë se Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë e Bosnjë e Hercegovinës, janë të përcaktuara që edhe më tej t’iu japin përkrahje përpjekjeve që shpien te dialogu, pajtimi dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkruajnë në reagimin e përbashkët të nënshkruar nga ambasadorët Schieb dhe Scott.

Ata kanë bërë thirrje për dialog dhe stabilitet në Ballkan.

“Edhe SHBA-ja e edhe Gjermania vazhdojnë ta përkrahin dialogun që zhvillohet me ndërmjetësim të BE-së. Ne jemi të përkushtuar ndaj synimit për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë e të zbatueshme për t’i kontribuuar stabilitetit rajonal”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga dy ambasadorët.

“Jemi të pajtimit se të dy palët duhet të bëjnë përpjekje për t’i hequr pengesat, t’i evitojnë provokimet e ndërsjella dhe të kthehen në negociata me gatishmërinë që të arrijnë marrëveshje”, kanë shtuar ata.