SHBA-të do paguajnë 1.6 miliard dollarë për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19 në janar

07.07.2020 20:30:05

Qeveria amerikane i ka dhënë firmës për zhvillimin e vaksinave, Novavax, 1.6 miliard dollarë (1.42 miliard euro) për të mbuluar testimin, komercializimin dhe prodhimin e një vaksine të mundshme për luftimin e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të sigurojë 100 milionë doza deri në janar të 2021-ës.

Menjëherë pas njoftimit, firmës iu rritën aksionet për 25 për qind, shkruajnë mediet britanike, transmeton lajmi.net.

Testimet e hershme të vaksinës nga ndërmarrja Novavax kanë qenë premtuese, gjë që ka marrë vëmendjen e task forcës së luftimit të koronavirusit të Administratës Trump, e cila në krye ka ekspertin kryesor të infeksioneve, Dr. Anthony Fauci.

“Programi Warp Speed përfshin pagesën e 100 milionë dozave, të cilat do dorëzohen në tremujorin e katërt të këtij viti, dhe mund të përfundojnë deri në janar ose shkurt të vitit të ardhshëm”, tha shefi ekzekutiv i Novavax Stanley Erck për Reuters.

Programi të mbulojë gjithashtu koston e drejtimit të një testimit të madh të Fazës III – faza e fundit e testimit njerëzor, e cila do fillojë qysh në tetor.