“SHBA-të janë si yll, populli të marrë në dorë…”/ Meta jep zgjidhjen për krizën politike

21.11.2019 16:06:15

Mes tensioneve, Presidenti Ilir Meta deklaroi se kriza politike më vend mund të zgjidhet vetëm përmes referendumit. Në një prononcim për gazetarët, Meta theksoi fort se populli duhet të marrë në dorë sovranitetin e vendit.

“Ka vetëm një zgjidhje për Ramën dhe disa palaço ndërkombëtarë, referendumi. Edhe diplomatët të dalin me Ramën.

Unë do të dal me të gjithë shqiptarët që duhet të rimarrin në dorë sovranitetin e vendit, pasi nesër është dita kur populli shqiptar votoi me referendum Kushtetutën më të mirë pas kaosit në 1997 dhe që Edi Rama dhe disa palaço ndërkombëtar edhe në 2008 edhe më vonë e minuan dhe duan ta përdhosin çdo ditë.

Prandaj larg duart nga gjykata Kushtetuese. Zgjidhja është referendumi për të vendosur. Zgjidhja është referendumi dhe këtë ta vendosin shqiptarët” përfundoi Meta.

Përveç kësaj, kreu i Shtetit thuri lëvdata për partnerin më të mirë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“SHBA janë si yll si shpirt se me ata i kemi bërë Kushtetutën. Presidenti është në kushtetutë dhe jo në rregulloren e ndonjë ambasade. Prandaj i kam ftuar të vijnë me ekspertët e tyre dhe t’u tregoj kushtetutën e Shqipërisë” u përgjigj Meta.