Shefki Gashi nga LDK: Vetëvendosje ka shkelur të drejtën e njerëzve për punësim

22.08.2016 18:33:45

Në emisionin Info Magazine është duke u diskutuar për punësimet në Komunën e Prishtinës, temë kjo që është nxitur nga një listë e publikuar në media ku janë cilësuar si punësime jashtë konkursit dhe të jashtëligjshme.

Asambleisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, Shefki Gashi është shprehur se “Vetëvendosje ka bërë shkelje të të drejtave të njeriut”.

“Ka shkelur të drejtën e njerëzve për punësim. LDK-ja është shembull, në institucione, në rajon e edhe më gjerë, për mënyrën se si i përmbahet ligjit”.

Ndërsa asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën  e Prishtinës, Kreshnik Ahmeti ka thënë se është publikuar një listë e 250 personave që kanë kryer shërbime publike në Komunën Prishtinës.

“Madje ka më pak se 250 persona, sepse emrat e disa prej tyre ripërsëriten. Është thënë se këta persona janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, por kjo s’është e vërtetë. Shumë njerëz kanë reaguar pas këtyre publikimeve”.

Ai ka thënë se këto punësime ishin vetëm me kontrata mbi vepër.

“Kontrata mbi vepër për shërbime specifike, është e paraparë me ligj, kjo nuk kërkon konkurs”.