Shëndetësia e Kosovës ka nevojë për trajtim profesional e jo politik

27.09.2016 23:40:55

Trajtimi i profesioneve të ndryshme kryesisht për nga veçoritë dhe rëndësia e tyre, për shtetin dhe institucionet e tij është me rëndësi parësore. Kjo për faktin se profesionet e ndryshme, kush me shumë e kush më pak kanë rëndësi shoqërore dhe institucionale. Në shumë shtete, vetë shteti investon në profesione të caktuara për shkak të rëndësisë që kanë. Në vendin tonë, për fat të keq, nuk janë trajtuar mirë profesionet e ndryshme, kurse PDK gjatë qeverisjes së saj ka ndjekur politika populiste sipas të cilave i ka trajtuar profesionet e ndryshme varësisht nga interesi zgjedhor. Audiopërgjimet e bëra publike kanë dëshmuar logjikën e punësimeve të ndryshme. Në shumë sektorë PDK ka shtrirë tentakulat e saj dhe i ka trajtuar profesionet e ndryshme dhe vendet e punês si të ishin pronë të saj. Aferat në sektorin e shëndetësisë, sidomos në QKUK janë aq të mëdha sa kanë përfshirë shumë lëmi dhe specializime të veçanta. Ministri Imet Rrahmani, edhe pse është munduar të vëjë rregull, megjithatë është në një fushë të minuar ku përplasen interesa të mëdha. Prandaj, edhe vështirësitë janë të mëdha. Punësimet pa kriter profesional, por me kriter partiak të bëra kryesisht nga PDK, kanë lënë jashtë shumë specialistë të fushave të ndryshme mjekësore, duke i privuar qoftë nga e drejta për të konkurruar, qoftë edhe duke i diskriminuar gjatë pêrzgjedhjeve. Si pasojë, shumë specialistëve u janë bërë padrejtësi, ndërkohë në spitale punojnë njerëz të paaftë dhe që e kanë komprometuar keqas sektorin e shëndetësisë. Afera e stendave është shumë vetëm një nga aferat që është bërë publike, por ka edhe të tjera që nuk janë bërë publike. Ndërkohë specialistë të spikatur janë lënë rrugëve vetëm pse nuk kanë qenë të përshtatshēm politikisht, apo që kanë qenë pengesë për afera të ndryshme. Edhe pse të gjitha këto probleme janë krijuar dhe grumbulluar gjatë viteve, dhe si të tilla nuk janë të lehta për t’u zgjidhur dhe duan kohë, megjithatë Ministria e Shëndetësisë duhet të përqendrohet më shumë për përmirësimin e cilësisë së shëndetësisë në Kosovë. Kryeministri Mustafa vazhdimisht ka shprehur vullnetin dhe përkushtimin e tij për rritjen e cilësisë së shëndetësisë, si dhe trajtimin e drejtë të specialistëve të ndryshëm të mjekësisë duke llogaritur në potencialet e tyre profesionale për një shëndetësi më cilësore. Prandaj, është e nevojshme që të bëhen hapa në këtë drejtim, për të hapur mundësi për punë profesionale dhe për teajtimin e drejtë të specialistëve të fushave të ndryshme.