Shëndetësia në vitin 2018, nga mungesa e barnave tek ikja e mjekëve (Video)

31.12.2018 17:49:51

Viti që po lëmë pas, ka qenë një vit me shumë zhvillime në fushën e shëndetësisë në vend.

Qeveria e Republikës së Kosovës, kishte marr vendim që buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2018 të rritej nga 180 milionë në 200 milionë euro.

Mungesa e Barnave

Për barna në listën esenciale dhe material shpenzues, kjo Ministri kishte shtuar 10 milionë  euro.

Por, pavarësisht kësaj rritjeje, viti 2018 filloi me mungesë të theksuar në barna e material shpenzues.

Një ndër shkaktarët e këtij problemi, doli të jetë skadimi i kontratave për shumë nga barnat e materialet shpenzuese, dhe vonesa në tenderim për krijimin e kontratave të reja.

Mungesa e barnave esenciale, arriti kulmin e saj në muajin maj, aq sa u tha që sistemi shëndetësor nuk kishte qenë asnjëherë më keq i furnizuar me barna e material shpenzues.

Kjo krizë, zgjati gjashtë muaj, dhe situata arriti të stabilizohet tek në muajin qershor.

Megjithatë, ky problem vazhdon akoma të jetë prezente, edhe pse për vitin 2018 Ministria e Shëndetësisë kishte pas buxhetin historikisht më të madh, të ndarë për barna e material shpenzues.

Rishikimi  i listës së barnave esenciale

Rishikimi i listës së  barnave esenciale nuk ishte bërë qysh nga viti 2012. Si pasojë, në këtë listë kanë qenë të përfshira barna të panevojshme, e jashtë saj kanë qenë shumë barna të domosdoshme për pacientët. Pos kësaj, shume nga çmimet e barnave të cilat kanë qenë pjesë e kësaj liste janë blerë shumë fish  më të shtrenjta sesa gjenden  në treg.

Për gati dy dekada Ministria e Shëndetësisë kishte blerë barna shumëfish më shtrenjtë se rajoni, në veçanti barnat për kancer. Një nga ta ka qenë Imatinibi, që  më parë është blerë për 652 mijë euro, ndërsa sasia e njëjtë këtë vit është blerë për 75 mijë euro. Në total, për barnat kundër kancerit sipas kësaj Ministrie janë shpëtuar rreth 1 milion euro.

Ministria e Shëndetësisë, ka arritur që në fund të vitit të bëjë finalizimin e revidimit të listës së barnave. Po ashtu kjo ministri ka finalizuar  Udhëzim Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave. Si rrjedhojë vetëm gjatë këtij viti, sipas kësaj ministrie janë kursyer 7 milion euro të buxhetit të shtetit.

Shërbimet 24 orë

Për vite me radhë, pacientët në Kosovë kanë pritur deri tre vite për stentim  dhe ndërhyrje kardiokirurgjike. Por, në vitin 2018 është arritur të hiqet  lista e pritjes për pacientët të cilët kanë nevojë për stentim.

Megjithatë, listë të pritjes vazhdon të ketë për koronarografi dhe ndërhyrje kardiokirurgjike.

Shërbime 24 orë gjatë këtij viti ka filluar që të ofroj edhe klinika e Onkologjisë.

Po ashtu me ofrimin e këtyre shërbimeve, janë kursyer me mijëra euro.

Mungesa e sistemit informativë shëndetësor

Edhe pse pritjet e gjata për stentim  kanë marr fund, nuk ka të dhëna se sa persona kanë ndërruar jetë duke pritur në këto lista.

Të dhëna nuk ka as edhe për numrin e personave që vuajnë nga sëmundjet e zemrës në Kosovë, e as nga sëmundjet e tjera.

Krejt kjo për mungesë të Sistemit Informativ Shëndetësor.

Projekti për krijimin e Sistemit Informativ Shëndetësor, kishte nisur  në vitin 2011,  por që kishte dështuar. Madje krijimi i Sistemit Informativë Shëndetësor, cilësohet edhe si parakusht për fillimin e Sigurimeve Shëndetësore.

Aparaturat mjekësore

Një problem për të cilin janë ballafaquar pacientët por edhe stafi mjekësorë në QKUK dhe spitale rajonale, ka qenë edhe mungesa e aparaturës.

Gjatë këtij viti është ndarë një buxhet i veçantë për blerjen e pajisjeve mjekësore për QKUK-në, në vlerë prej 3.5 milionë euro.

Gjatë muajit dhjetor të viti 2018, ka nisur punën edhe angiografi i ri. Kjo aparaturë ishte blerë  qe tre vite, por zvarritja e disa proceduar e kishte lënë peng  pa u sjell në Kosovë.

Pavarësisht këtij investimi, nevoja për aparatura në QKUK dhe Spitale Rajonale vazhdon të jetë prezente. Nevojë më e theksuar paraqitet për rezonancë magnetike dhe CT. Për marrjen e këtyre shërbimeve, pacientët detyrohen të presin deri një vit.

Shtretërit

Një problem me të cilin janë ballafaquar pacientët e QKUK-së kanë qenë edhe shtretërit e stërvjetruar. Ministria e Shëndetësisë, bëri edhe në këtë pjesë një investim, ku në fund të vitit 2018, pajisi klinikat e QKUK-së me rreth 1000 shtretër. të cilët kapën vlerën prej 1.3 milion euro.

Por, kjo Ministri, duket se një investim të tillë e kishte bërë pa u menduar mirë. Shtretërit që ishin porositur, në disa klinika nuk po mund të shfrytëzohen. Kjo pasi gjerësia e shtretërve është më e madhe se gjerësia e dyerve.

Si pasojë, dy klinika ajo e Nefrologjisë dhe Hematologjisë, këta shtretër i kanë refuzuar, pasi e kanë të pamundur t’i shfrytëzojnë. Në këto klinika pacientët që trajtohen duhet të lëvizin me shtretër, ndërsa një lëvizje e tillë me shtretërit e rinj është e pamundur. Madje ata nuk i zë as ashensori.

Infrastruktura

Investime u bënë edhe në infrastrukturën e QKUK-së. Në këtë mes më së shumti ka përfituar Klinika e Emergjencës dhe Klinika e Shërbimit Intensiv.

Për Klinikën e Emergjencës, është investuar gjysmë milioni euro për infrastrukturë dhe blerjen e aparaturës së nevojshme.

Ndërsa për repartin e Intesivës, ishte dhënë një donacion në vlerë 2 milion euro nga Agjecia Turke për Bashkëpunim dhe Kordinim.

Megjithatë, klinikat vazhdojnë të ballafaqohen me mungesë të hapësirës, kushteve e aparaturës. Ndër to janë, klinika e Mjekësisë Fizikale, Klinika e Kirurgjisë Plastike, Klinika e Hematologjisë e shumë të tjera

Pagat e punëtorëve shëndetësor

Viti 2018 u shoqërua edhe me grevë nga mantelbardhët, të cilët kërkonin nivelizim të pagave. Rritja e pagave për punëtorët shëndetësor ka qenë edhe një premtim i Ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili për vitin 2018.

Grevë u mbajt edhe në fund të viti, pasi sipas Federatës së Sendikatave të Shëndetësisë së Kosovës, rritja e pagave për mjekët nuk kishte hyrë në planifikimin e buxhetit për vitin 2019.

Pakënaqësi nga punëtorët shëndetësor pati edhe  lidhur me kategorizime.

Me kalimin e ligjit dhe ngritjen e koeficientit në 5 për mjekun specialist, ata do të paguhen me rreth 1200 euro në muaj. Derisa për infermierët nuk do të ketë ndonjë lëvizje të theksuar.

Ende pa u miratuar, projektligji ka nxitur polemika edhe me një kategori tjetër mjekësh që nuk janë marrë parasysh dhe nuk janë futur fare brenda ligjit, pavarësisht kërkesave. Bëhet fjalë për psikologët klinikë, si dhe farmacistët.

Këtë vit, është marr parasysh edhe kërkesa e specializantëve të cilët kanë kërkuar të paguhen për punën që kryejnë gjatë specializimit të tyre.

Mungesa e stafit mjekësor

QKUK vazhdimisht është ballafaquar me mungesë të stafit mjekësor. Ky problem e ka përcjellë edhe këtë vit.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka gjithsej 32 salla operative, por ka vetëm 45 anesteziolog. Mungesë e theksuar shfaqet edhe në infermier.

Po ashtu që nga paslufta reparti i Logopedisë në QKUK, funksionon me vetëm 3 logoped, çdo logoped brenda një dite trajton 5-7 pacient.

Ikja e mjekëve dhe infermierëve nga Kosova

E derisa QKUK-ja dhe spitalet rajonale ballafaqohen me mungese të stafit mjekësor, numër I madh I mjekëve po ikin nga Kosova. Deri tani mendohet se nga Kosova janë larguar mbi 500 mjekë dhe infermier. Ndërsa, vetëm gjatë këtij viti Kosovën e kanë lënë mbi 110 mjekë.

Si pasojë e kësaj, mosha e mjekëve në Kosovë vazhdimisht po shkon duke u rritur. Aktualisht mosha mesatare e mjekëve është 50 vjeç.

Mungesa e sallave operative

Një nga arsyet pse pacientet presin për ndërhyrje kirurgjike është edhe mungesa e sallave operative në klinika të ndryshme. Me këtë problem ballafaqohet kardiokirurgjia, ortopedia, kirurgjia plastike dhe kirurgjia torakale.

Ndërtimi i spitaleve të reja

Gjatë viti 2018 filloi edhe ndërtimi i spitali të Ferizajit, i cili ishte premtuar tash e disa vite.

Po ashtu janë hedhur edhe gurthemelet e para për ndërtimin e dy klinikave.

Këtë vit ka filluar të ndërtohet Klinika e Kirurgjisë së Fmijëve, e cila është financuar nga një donacion prej 22 milion dollar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Po ashtu këtë vit është hedhur edhe gurthemeli për ndërtimin e Klinikës së Mjeksësisi Sportive, klinikë kjo që i ka munguar vendit.

Megjithatë, SHSKUK vazhdon te mos ofroj shumë shërbime për mungesë të kushteve. Në Kosovë ende nuk ka kushte për trajtimin e sëmundjes së leukemisë në repartin e Hematoonkologjisë. Po ashtu edhe kardiokirurgjia për fëmijë mungon.

Sigurimet shëndetësore

Një nga problemet më të mëdha në fushën e shëndetësisë në vend është mungesa e Sigurimeve Shëndetësore. Edhe pse Ministri Ismaili ka deklaruar se shumica e parakushteve për fillimin e sigurimeve janë plotësuar. Ai po ashtu ka deklaruar se shërbimi i parë i sigurimeve shëndetësore pritet të bëhet në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo do të nisë me rimbursimin e barnave jashtëspitalore për sëmundje kronike.

Megjithatë, deri tani nuk ka startuar asnjë shërbim i sigurimeve shëndetësore.