Shënohet dita e pavarsisë së SHBA-së në Kosovë

04.07.2017 13:02:32

Me rastin e 241-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Garda Ceremoniale e FSK-së ngriti flamurin amerikan pranë shtatores së Bill Klintonit në sheshin me po të njëjtin emër.

Për të përcjellë këtë aktivitet nga Opoja e Dragashit kishte ardhur Musli Pirkuqi, për të cilin festa e pavarësisë së SHBA-ve është njësoj sikurse pavarësia e Kosovës.

Ai thotë se Amerika është aleatja më e fortë, më e mirë dhe aleatja e përjetshme e Kosovës.

“Festën e pavarësisë së Amerikës kryesisht sipas mendimit tim e festojmë sikurse pavarësinë e Kosovës, ngase SHBA-të i kemi aleatë më të fortë, aleat më të mirë, aleat tradicional edhe të përjetshëm”, tha ai.

Pas ngritjes së flamurit, kreu i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se me këtë veprim dëshirojnë të dërgojnë një mesazh popullit dhe institucioneve amerikane se populli i Kosovës është mirënjohës SHBA-ve për të mirat që i kanë bërë popullit kosovar.

“Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka për qëllim ruajtjen dhe avancimin e miqësisë Kosovë-SHBA, apo një miqësi shqiptaro-amerikane. Një miqësi e krijuar me shumë gjak, me shumë mund, me shumë sakrifica dhe miqësi që ka nevojë të përpunohet dhe të avancohet në të ardhmen, sepse jemi dëshmitarë që armiqtë tanë lobojnë kundër interesave të Kosovës. Me një veprim të tillë ne dhe institucionet e Kosovës, në këtë rast garda ceremoniale e FSK-së me ngritjen e këtij flamuri e bëri një veprim të fuqishëm, i dërgoi mesazhe popullit dhe institucioneve amerikane se ne populli i Kosovës jemi dëshmitarë, jemi mirënjohës për veprimet që keni bërë ndaj neve dhe se do të jemi për jetë e mot falënderues”, tha Rexhepi.

Gjithashtu, ai tha se me këtë veprim dëshirojnë të dërgojnë një mesazh që populli kosovarë meriton të përkrahet në aspektin ekonomik dhe ushtarak.

“Po ashtu me një veprim të tillë dëshirojmë të dërgojmë mesazh që e kemi merituar të veprojmë për interesa dhe se e meritojmë edhe në të ardhmen edhe me fuqishëm të punojmë dhe  të përkrahemi sikurse deri me sot. Jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin politik, ushtarak, arsimor si dhe gjitha format që deri me tani kanë vepruar”, tha ai.

Ky organizim nga Shoqata “Miqtë e Amerikës” është organizuar për nder të përvjetorit e 241-të të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.