Shenoll Muharremi: Largimi i Çollakut s’pengon procesin e heqjes së vizave

09.09.2016 21:11:37

Ministria e Integrimeve Evropiane që nga sot ka mbetur pa ministër, pasi Bekim Çollaku kaloi në postin e shefit të kabinetit të presidentit Hashim Thaçi. Pas dorëheqjes së tij, pati zëra se ky veprim do ta dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, mirëpo kështu nuk po mendojnë njohësit e çështjeve të BE-së.

Kësisoj, eksperti për Integrimeve Evropiane, Shenoll Muharremi, nuk e sheh këtë si pengesë këtë veprim të Çollakut, pasi, sipas tij, Kosova ka pranuar një rekomandim nga KE për liberalizmin e vizave.

“Lëvizja e ministrit Çollaku nuk mendoj që është ndonjë pengesë në procesin e liberalizimit të vizave për shkak se ne kemi pranuar një rekomandim nga KE. Dy kushtet që kanë mbetur sidomos demarkacioni, janë në agjendën dhe kompetencën e Kuvendit të Kosovës, andaj sa për viza nuk mendoj që do ketë efekte në këtë fazë”, ka thënë Muharremi për Indeksonline.

Sipas tij, vendimi i Çollakut ka qenë personal me vet faktin që lëvizja ka ndodhur pa ndonjë presion apo kërkesë specifike të partisë politike që e ka deleguar.

Tutje, Muharremi ka thënë se postin e kësaj ministrie duhet ta zë një zyrtar i lartë politik me kredibilitet ndërkombëtar i cili ka edhe lidhje të afërta me kryeministrin.

“Vendin do të duhej ta zë një zyrtar i lart politik me kredibilitet ndërkombëtar, që ka njohuri për agjendën, peshë dhe lidhje të afërt me kryeministrin, për shkak të nevojës së vendimeve dhe ndikimit në nivele më të larta. Nuk duket që ky të jetë rasti pasi që si duket kjo ministri i takon PDK-së dhe do të mund të jetë një vendim propozim i kryetarit të PDK-së”, ka thënë Muharremi.

Duke i analizuar lëvizjet e fundit të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, i cili ka emëruar ministre të Drejtësisë Dhurata Hoxhën, që ka një moshë të re, edukim të mirë jashtë dhe komunikim të rrjedhshëm me ndërkombëtar, Muharremi ka thënë se ministri i ardhshëm i Integrimeve duhet të jetë një person i afërt me te, i ri në moshë, i shkolluar jashtë dhe që komunikon mirë por pa peshë politike.

“Kjo metodë është përdorë vazhdimisht edhe më herët për të kamufluar elementet e errëta të politikës dhe për të paraqitur partinë dhe liderin si përparimtar”, ka thënë ai.

Muharremi ka shtuar se MI është një ndër ministritë më të mira në Qeveri por edhe pozita më sfiduese, për shkak se nevojitet ndërmarrja e reformave të mëdha si dhe transformimi pozitiv i Kosovës dhe përafrimi i saj me BE-në dhe vlerat evropiane