Sheremeti: Të jesh sot patriot, të konsiderojnë të “modës së vjetër” (Video)

04.07.2018 22:56:43

Kushtrim Sheremeti nga Lëvizja për Bashkim, ka thënë se të shprehesh sot se je patriot, ka filluar të duket si turp.

“Ka filluar një dozë nënçmuese për dikë që mban ndonjë objekt me shqiponjë, apo të ngjashme”, tha ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini.

Ai këtë shqetësim e lidhi edhe me një problem tjetër, atë të identifikimit me subjektet politike.

“Ka njerëz që po ndihen keq të identifikohen me ndonjë simbol, sepse po kanë frikë se po llogariten si simpatizues i ndonjë partie”, deklaroi Sheremeti, përcjell Telegrafi.

Zyrtari i Lëvizjes për Bashkim, ka thënë se sot kanë filluar të përqeshen edhe ata që dje kanë luftuar për çlirimin e Kosovës.

“Dikush që dje ka luftuar, sot ka filluar të përqeshet nga shoqëria, për shkak të disa keqpërdorimeve nga persona të pa përgjegjshëm”, tha ai.

“Po krijohen mekanizma që të jesh patriot je i modës së vjetër. Nuk është më interesant të jesh patriot, por duhet të jesh i zoti e “rrokotel”, që të jesh burrë i mirë”, përfundoi mendimin aktori dhe politikani Kushtrim Sheremeti.