Sherri për “Teatrin”, Rama: PD, parti e dhunshme. Basha: Aferë kriminale!

19.06.2018 19:21:33

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas polemikave dhe gati-gati përleshjeve fizike në komisionin e Medias mes opozitës, kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe deputetëve socialistë.

Rama e ka cilësuar PD-në, një parti që është e angazhuar vetëm fizikisht për debatin parlamentar.

“Një parti e zbrazur mendërisht e politikisht (se shpirtërisht ka firuar me kohë), por e angazhuar fizikisht e ka kthyer debatin parlamentar në një teatër gjuhësh e gjymtyrësh të dhunshme! Pse mos u japim një leje ndërtimi tek SHQUP-i për Kullën e Sporteve, Trup me Trup?”, – shkruan kryeministri.

Por kreu demokrat Lulzim Basha ka deklaruar se opozita mbrojti interesin publik dhe parlamentarizmin. Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se afera e Teatrit Kombëtar është një grabitje kriminale e përgatitur nga Rama dhe klientët e tij.

“Parlamenti duhet të përfaqësojë interesat e popullit dhe jo të mafias së ndërtimit, krimit dhe drogës. Por Edi Rama e ka të vështirë të bëjë dallimin midis batakut mes të cilit kalon gjithë kohën dhe parlamentit, prandaj edhe komentet e tij publike janë të gjitha me gjuhën e batakçiut. Afera e Teatrit Kombëtar është grabitje kriminale që Edi Rama ka më se një vit që e përgatit në bashkëpunim me klientët e tij. Në këtë aferë do të vidhet prona publike për të ndërtuar kulla të larta që do financohen me para të krimit dhe drogës. Ky që garantoi karrierën me 20 për qindshin për çdo leje ndërtimi dhe u ngrit në majë të politikës me formulën “një pallat, një votë”, tani sillet si një bandit që do të grabisë 100 për qind të Shqipërisë”, – thekson Basha.

Sipas tij, Rama është “i dështuar në qeverisje, i demaskuar para gjithë botës si i paaftë, i korruptuar dhe i kalbëzuar moralisht, Edi Rama kërkon ngushëllim dhe mbrojtje duke u bërë njësh me oligarkë, kriminelë dhe hajdutë për të mbrojtur pushtetin dhe bërë para duke betonizuar dhe grabitur Shqipërinë”.

Basha nuk ka sulmuar direkt kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, por ka thënë se paratë e drogës e të kullave do ta zënë p[oshtë kryeministrin bashkë me të.

“Dhunuesi i Parlamentit, Kushtetutës dhe ligjit është Edi Rama. Dhunuesi i shqiptarëve është Edi Rama që pasi u vodhi votën, po vjedh edhe pasurinë publike për të shtuar pasurinë e vet private. Dhunuesi i Shqipërisë është Edi Rama që po na mbyll derën e Europës për të pestin vit me radhë. Sot ai mund të ngrejë kulla dhe të pastrojë paratë e drogës në çdo cep të Tiranës, por e afërt është dita kur këto zulllume do ta zënë poshtë bashkë me Fikun e Tiranës!”.

Komisioni i Medias, u shoqërua sot me tension dhe përplasje fizikëve mes deputetëve dhe punonjësve të Gardës, pati paraditen e sotme në komisionin e medias.

Gjithçka pasi në komision është paraqitur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili sipas kryetares Albana Vokshi duhet të ishte nesër në seancë dëgjimore dhe jo sot.

Vokshi ka kërkuar që Garda të nxjerrë jashtë kryebashkiakun, madje deputetët demokratë janë ngritur për t’iu afruar Veliajt, dhe në këto momente ka pasur momente shtyrjeje mes tyre dhe punonjësve të Gardës.

Në fjalën e tij Veliaj sqaroi se për shkak të një konkursi në Barcelonë, në lidhje me sheshin “Skënderbej”, nuk mund të ishte nesër i pranishëm, ndaj teksa sot ishte thirrur vetëm ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ka shkuar dhe ai.

Vokshi akuzoi kryeparlamentarin Gramoz Ruçi se ka vendosur Gardën në shërbim të tij dhe kryebashkiakut, dhe se mbledhja nuk mund të vijojë pa u larguar Veliaj.