Shfaqja politike me Gjuriqin dhe negociatat sekrete Thaçi – Vuçiq

26.03.2018 19:18:17

Nga Rexhep Kastrati

Marko Gjuriq, i njohur për deklarata dhe qëndrime agresive dhe provokative, përkundër ndalesës nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, është futur në Kosovë, kur vlen të përmendet deklarata e tij se veriu nuk do të jetë kurrë pjesë e Kosovës.

Në këtë kontekst, duhet thënë se edhe futja e tij në Kosovë, e pastaj edhe arrestimi i tij, më shumë dalin të jenë pjesë të një shfaqjeje politike, që ka për qëllim të shpërqëndrojë vëmendjen e qytetarëve nga takimet sekrete dhe josekrete të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin, kur edhe kanë biseduar për shkëmbim territoresh dhe për themelimin e Asocacionit, dhe nga fakti se tashmë Thaçi, Veseli, Haradinaj janë marrë evsh për formimin e një trupe që do të merret me këtë çështje.

Çështja e Asocacionit është hapur qysh më 2013 me Marrëveshjen e Parë të 19 prillit të atij viti, dhe me Marrëveshjen për themelimin e këtij Asociacioni, më 2015. Në fakt, Marrëveshja e vitit 2015 është derivim i Marrëveshjes së vitit 2013, dhe ka bartur të gjitha kundërshtitë me kushtetutën e Kosovës që i ka ajo marrëveshje, për çka, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dhënë vlerësimin e saj dhe sugjerimet e saj për themlimin e këtij Asociacioni.

Qëndrimi i kryeministrit Mustafa dhe i Qeverisë së drejtuar nga ai ka qenë se Asociacioni mund të themelohet vetëm pasi të shuhen strukurat paralele serbe dhe vetëm në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ky qëndrim kishte hapsur në kundërshtimin e plotë të Serbisë, e cila këmbëngulte që Asociacioni të themelohej vetëm në bazë të Marrëevshjes së Brukselit.

Tashmë kur janë bërë publike informacione se Thaçi dhe Vuçiq ka negociuar për themelimin e Asociacionit, është e qartë se shfaqja politike Gjuriqit sot, mund të jetë vetëm një shfaqje që do të mund të ketë reflektime dhe pasoja shumë të rënda për Kosovën, dhe mund të kosnderohet një paralajmërim për krijimin e Asocacionit me kompetenca ekzekutive, përfshirë edhe kompetencat mbi ndonjë garnizon, brigadë apo krah të FSK-së.

Pra, përtej shfaqjes politike-medietike, duhet përcjellë me vëmendje rrjedha e procesit të themelimit të Asociacionit që mund të marrë kahje të një “Republika Srpska” në Kosovë, e deri te destabilizimi i Kosovës si mënyrë për realizimin e ndonjë skenari ukrainas.