Shfaqja politike me Gjuriqin dhe themelimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive

27.03.2018 21:29:25

Nga Rexhep Kastrati

Ashtu edhe siç kam thënë edhe më parë, arrestimi i Gjuriqit ishte një shfaqje politike, një film aksion, që domosdoshmërisht lidhet me negociatat sekrete Thaçi-Vuçiq, si dhe me angazhimet institucionale për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Një ditë pas këtij arrestimi, lista “Srpska” është tërheqë nga Qeveria, kurse kryetari i saj, Goran Rakiq, ka ftuar për nesër një mbledhje me kryetarë komunash me shumicë serbe dhe me përfaqësues të tjerë serbë, e kur pritet të shpallet njëanshëm Asociacioni sipas planit dhe vullnetit të Serbisë.

Fakti se kjo u paralajmërua nga Beogradi, bën të qartë se shfaqja politike me Gjuriqin ishte vetëm një hyrje në rritjen e angazhimeve destabilizuese të Serbisë, dhe si krijim i rrethanave për funksionalizimin e një Asociacioni me kompetenca ekzekutive.

Ndonëse ka një Marrëveshje të Brukselit për Asociaionin dhe ka një vendim të Gjykatës kushtetuese për këtë Marrëveshje, megjithatë, negociatat sekrete Thaçi-Vuçiq edhe për këtë çështje, bëjnë të qartë se lojëra të ndyra dhe të rrezikshme po luhen mbrapa krahëve të qytetarëve të Kosovës.

Dhe krijimi i rrethanave për një Asociacion me kompetenca ekzekutive, do të thotë se do të mund të ketë edhe shfaqje të tjera politike që do të paraqitnin serbët si viktimë të shtetit të Kosovës, dhe për pasojë duhet të kenë mekanizma thuajse të pavarur nga Prishtina.

Historia e pasliftës në Kosovë, ka dëshmuar se është punuar vazhdimisht që të krijohen rrethana për legalizimin dhe legjitimimin e realiteteve ndarëse mbi baza etnike, qoftë me dëmtim varrezash, faltoresh dhe objektesh tjera, qoftë me vrasje të serbëve, e që kulmuan me ngjarjet e 17 dhe 18 marsit 2004, kur në mënyrë të orkestruar u realizua skenari për vulosjen e ndarjes etnike të Kosovës, për dorëzimin e kishave shqiptare, Kishës Ortodokse Serbe dhe të shumë objekteve të vjetra kulutorore, fetare e historike.

Me shfaqjen politike me Gjuriqin kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimeve që do të pasohen me shpalljen e Asociacionit nga serbët dhe nga Beogradi, e që do të krijojë rrethana konfuze politiko-juridike, dhe për ta bërë edhe më dramatike situatën, do të mundt provokohen reagime, edhe pse legjitime, megjithatë tensionuese nga ana e strukturave të sigurisë së Kosovës.

Një situatë më konfuze do të mund të krijohet nëse do të mund të binte Qeveria, kur edhe institucionet tjera do të mund të ishin gjysëm të paralizuara, por edhe me mungesën e disa ministrave dhe disa kuvendarëve, funksionimi i kësaj Qeverie do të ishte shumë i vështirë.

Aq më tepër nëse ministra, zëvendësministra dhe kuvendarë serbë të Kuvendit të Kosovës do të merrnin pjesë në shpalljen e njëanshme të Asociacionit, me ç’rast do të duhej të shkarkoheshin, duke krijuar rrethana për një ndarje politike ndërmjet Prishtinës dhe veriut.

Ndërkaq, trajtimi i Asociacionit si strukturë paralele do të ishte i vështirë, sepse ex juris dhe ex legis do të bazohej në Marrëveshjen e Brukselit për Asociacionit.

Prandaj, në rastin më paqësor, nëpërmjet serbëve të Kosovës, ose drejtpërdrejt nëpërmjet negociatave të Brukselit, Beogradi do të provonte të negocionte kompetenca edhe duke imponuar interpretime të caktuara të dispozitave të Marrëveshjes për Asociacionin, por edhe duke luajtur me stabilitetin e veriut dhe të Kosovës.