SHGM: Të hiqet paraburgimi për gazetarin Bozhinovski

22.09.2016 18:33:52

Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë dhe Ricardo Gutierrez, sekretar i përgjithshëm i Federatës evropiane të gazetarëve, sot kërkoi urgjentisht të hiqet paraburgimi për gazetarin Zoran Bozhinovskin, i cili nga 14 shtatori është në grevë urie në burgun hetues në Shuto Orizarë për shkak, siç pohon, vazhdimin e paarsyeshëm të paraburgimit të tij dhe zvarritjen e procesit gjyqësor.

Siç informoi sot në konferencën për shtyp, kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, Bozhinovski me shkrim e ka njoftuar drejtorinë e burgut për vendimin e tij dhe ka kërkuar ta njoftojnë avokatin e tij dhe avokatin e popullit, që deri sot nuk është bërë.

Nga SHGM-ja shprehin shqetësim për gjendjen shëndetësore të Bozhinovskit, i cili në shtatë ditët e fundit ka refuzuar të pranojë ushqim dhe ujë në burg dhe si pasojë e kësaj dy herë në ditë ka marrë infuzion.

Gutierrez, theksoi se Republika e Maqedonisë më 13 prill të vitit 2016 ka nënshkruar rekomandim të caktuar për mbrojtje të gazetarëve në kuadër të Këshillit të Evropës.

“Vlerësimi ynë si Federatë evropiane të gazetarëve është se praktika në RM nuk është në pajtim me praktikën në Këshillin e Evropës dhe Konventën evropiane për të drejtat e njeriut kur bëhet fjalë për mbrojtje të të drejtave të gazetarëve”, theksoi sekretari i përgjithshëm i Federatës evropiane të gazetarëve.