Shkaqet e erës së keqe të trupit dhe faktorët që ndikojnë në të

14.03.2020 00:40:04

Era e fortë dhe e pakëndshme e trupit është një nga temat më të ndjeshme që prek shumicën e njerëzve. Edhe pse produktet komerciale si deodorantët apo parfumet ndihmojnë për ta kontrolluar përkohësisht erën e trupit, ato nuk e eliminojnë shkakun kryesor. Mënyra më e mirë për të kontrolluar erën e pakëndshme të trupit është të kujdeseni jo vetëm për anën e jashtme, por edhe anën e brendshme që përfshin mënyrën e jetesës dhe stilin e të ushqyerit, shkruan shendeti.com.al.

Shkaqet e erës së trupit

Trupi i njeriut ka shumë sisteme që janë vazhdimisht në punë dhe “mbeturinat” që akumulohen janë një pjesë e natyrshme e këtij procesi. Këto “mbeturina” dalin nga trupi përmes proceseve, si: djersitja, jashtëqitja, urinimi etj. Era e trupit është unike në varësi të individit dhe mund të ndikohet nga mënyra e të ushqyerit, gjinia, shëndeti, përdorimi i ilaçeve etj. Era e trupit merr formën tipike të individit kur ai arrin moshën e pjekurisë: 14-16 vjeç femrat dhe 15-17 vjeç meshkujt. Njerëzit të cilët janë mbipeshë dhe kanë sëmundje të caktuara janë më të prirur për të pasur erë trupi të pakëndshme dhe më të fortë. Era e trupit mund të formohet tek këmbët, sqetullat, zonat intime, flokët, prapa veshëve, në disa raste edhe në të gjithë sipërfaqen e lëkurës.

Djersitja: është një proces i rëndësishëm që duhet t’i ndodhë trupit, pasi funksioni i gjendrave të djersës nxjerr toksina nga trupi dhe ruan shëndetin optimal. Disa individë djersijnë më shumë se të tjerët dhe kanë më shumë gjasa që të mbajnë erë të pakëndshme. Djersa praktikisht duhet të jetë pa erë për njerëzit, por prania e baktereve në djersë e bëjnë atë më acide, që eventualisht shkakton një aromë të pakëndshme.

Ndryshimet hormonale: ndryshimet më të mëdha hormonale lidhur me erën e trupit ndodhin në menopauzë. Tek femrat, menstruacionet dhe stresi rrisin shkallën e erës së trupit.

Gjenetika: biologjia njerëzore dhe gjenetika luajnë rol të rëndësishëm në erën e një personi. Njerëzit e Azisë Lindore kanë tendencë të kenë më pak gjendra djerse në trup dhe si pasojë era e tyre është më e butë. Prania e sasisë së ulët të gjendrave i bën ata më pak të prirur në nxjerrjen e sekrecioneve.

Mjekimi: një ndër efektet anësore i përdorimit të medikamenteve është djersitja. Ilaçet antipsikotike dhe antidepresante janë disa nga ato që ndikojnë në erën e djersës. Përveç kësaj, përdorimi i tepruar i aspirinave dhe paracetamoleve ndikojnë në rritjen e prodhimit të djersës gjithashtu.

Mënyra e të ushqyerit: ajo çfarë hamë luan një rol shumë të rëndësishëm në erën e trupit. Ushqimet organike që kanë shije të athët ndikojnë në erën e trupit, sepse këto kompozime lirohen përmes djersitjes. Ushqimet që lidhen me erën e trupit janë zakonisht ushqimet me shije të fortë, si: mishi i viçit, gjeli i detit, veza, hudhra, qepa etj.