Shkarkimi i Metës/ Caktohet afati për Komisionin Hetim

08.07.2019 18:48:26

Kuvendi i lë tre muaj afat komisionit hetimor për shkarkimin e Ilir Metës. Pas votimit për ngritjen e komisionit dhe shtimin me dy anëtarë të tij nga 9 në 11, Kuvendi do të votojë afatin 3 mujor për shkarkimin. Kjo do të thotë që brenda tre muaj, ky komision duhet të dorëzojë raportin përfundimtar, që më pas do përcillet për në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas komisionit hetimor, objekt hetimi do të jenë të gjitha shkeljet e presidentit, që sipas shumicës janë jo pak, por plot 9 të tilla. Por a është i mjaftueshëm ky afat dhe a mundet që deri atëherë të ngrihet Gjykata Kushtetuese dhe të ketë një vendim final.

Gjithsesi, për maxhorancën të gjitha janë të mundshme.. “Në fakt me të drejtë në 2017-ën kanë dhënë një vendim të tillë, ku ia referon konfliktet për të dekretet për datat e zgjedhjeve Kolegjit Zgjedhor, apo Gjykatës Administrative, duke iu referuar nenit 131 apo 134 të Kushtetutës”, thanë përfaqësues të maxhorancës.

E pyetur se nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale, a do të ishte paditur akti i Presidentit në këtë Gjykatë prej PS, deputetët thanë “Një akt administrativ i pavlefshëm, përsa kohë nuk prodhon asnjë pasojë nuk ka arsye përse të goditet. Si KQZ, KZAZ, ashtu edhe Gjykatat e kanë konstatuar kryesisht pavlefshmërinë absolute të një akti administrativ, sepse ka një praktikë të konsoliduar. Ne si subjekt do ta kishim ankimuar, nëse ky akt do të kishte sjellë pasoja reale për të penguar zgjedhësit për votuar”.