Shkelqimi i festes romake të Pavarsisë së Kosovës

24.02.2019 23:35:28

 Ng Gëzim MUÇOLLI

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi pavarësinë e Republikës së Kosovës duke organizuar pritje solemne në Romë me 19 shkurt 2019  për nder të përvjetorit të njëmbëdhjetë të Pavarësisë.

Në hotelin “Parco dei Principi” në rrugën  Gerolamo Frescobaldi nr 5, në pritjen solemne të organizuar nga ambasada duke filluar nga ora 19, kishin ardhur të ftuar përfaqësues të shumtë të institucioneve shtetërore italiane, parlamentit italian, të korit diplomatik, bizneseve, të artit dhe kulturës, mediave, si dhe miq e dashamirë të shumtë të Kosovës nga shoqëria civile, komuniteti arbëresh, bashkatdhetarë dhe studentë kosovarë.  

 Festa e Pavarësisë u hap me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe të atij italian.

Mysafirëve të pranishëm iu drejtuar me fjalën e saj përshëndetëse, Shkëlqesia e saj,ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, zonja Alma Lama, e cila pasi iu uroi mirseardhjen, foli për rëndësinë e ditës historike të 17 shkurtit të vitit 2008 dhe për arritjet që ka bërë populli i Kosovës me ndihmën e jashtëzakonshme nga ana e vendeve të botës demokratike.

Ambasadorja Lama tha se ky vit është vit jubilar, sepse sivjet shënojmë edhe një ditë tjetër të madhe në historinë tonë, 20-vjetorin e çlirimit, dhe  falenderoi nga zemra shtetet e NATO-s për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë gjatë vitit 1999, me qëllim që të ndalnin gjenocidin që po kryhej në dyert e Europës. Pastaj foli për të arriturat e shtetit tonë të ri nëpër vite, duke theksuar se “përgjatë këtyre viteve shteti i Kosovës ka ecur me hapa gjigandë dhe më shumë se gjysma e anëtarëve të OKB-së na kanë njohur dhe se këto shtete janë shndërruar në miq dhe përkrahës të Kosovës.

Viti 2018 do të shënohet në historinë e Kosovës gjithashtu edhe si viti i ushtrisë, këtij komponenti fondamental shtetëror. Me krijimin e ushtrisë u plotësua mozaiku i shtet-ndërtimit dhe tashmë Kosova ka të gjitha institucionet shtetërore demokratike”.

Ambasadorja Lama me këtë rast falënderoi Republikën Italiane për mbështetjen që i ka  dhënë Kosovës në të gjitha proceset ndërkombëtare. I njëjti falënderim shkon edhe për Maltën dhe San Marinon,- u shpreh ajo.

Duke folur për përvojën e saj në shërbimin diplomatik kosovar në qytetin e Romës , ambasadorja Lama tha : “ndihem jashtëzakonisht e nderuar që mu dha mundësia të përfaqësoj Republikën e Kosovës në një shtet mik dhe të rëndësishëm siç është Italia. Këto dy vite të misionit tim kanë qenë jashtëzakonisht dinamike dhe jam falënderuese për bashkëpunimin që kam gjetur tek institucionet italiane, si Ministria e Punëve të Jashtme, dhe institucionet tjera e sidomos parlamenti. Kemi realizuar shumë vizita të nivelit të lartë zyrtar si dhe marrëdhëniet institucionale me shtetin italian janë ngritur në një nivel edhe më të lartë bashkëpunimi. Për herë të parë, është krijuar grupi i miqësisë në Parlamentin italian Itali-Kosovë me 45 senatorë dhe deputetë, që na ka ndihmuar në forcimin e raporteve midis dy Parlamenteve tona dhe në dëgjimin e zërit të Kosovës brenda Parlamentit italian, dhe me këtë rast dua të falenderoj veçanërisht ish-senatorin Aldo di Biagio, për ndihmën e çmuar”.

Duke folur për rezultate konkrete ,ambasadorja Lama i informoi të pranishmit se me iniciativë të Ambasadës është themeluar Oda Ekonomike Itali-Kosovë dhe jemi shumë të nderuar që fillimisht e udhëhoqi një personalitet i shquar, ish ministri i Jashtëm i Italisë, Amb. Giulio Terzi di Sant’Agata dhe aktualisht po udhëhiqet nga një senator i shquar, mik i Kosovës, Aldo di Biagio.

“Jam e lumtur gjithashtu se kur të largohem nga Italia, numri i miqve të Kosovës, që praktikisht jeni ju të pranishëm sonte dhe shumë të tjerë që nuk kanë mundur të vijnë sonte, do të jetë shumë më i madh. Dua të falenderoj gjithashtu Italinë dhe qytetarët italiane për humanizmin, mikpritjen dhe bujarinë e treguar për qytetarët e Kosovës, që ndihen si në shtëpinë e tyre”.

Në fund të fjalimit, ambasadorja Lama nënvizoi se punon dhe shpreson që gjatë vitit 2019 qytetarëve të Kosovës t’iu mundësohet lëvizja e lirë pa viza në Bashkimin Europian dhe në këtë mënyrë të kenë mundësinë për shkëmbime eksperiencash, studime, biznesi dhe krijimin e lidhjeve edhe më të forta me vendet e BE-së.

Programi i Festës së Pavarësisë  vazhdoi me interpretimin e dy artistëve të shquar të muzikës klasike kosovare: Sihana Badivuku me violinë dhe Blerim Grubi me violë, të cilët performuan vepra të ndryshme të artistëve kosovarë si Kreshnik Aliçkaj “Vallja shqiptare”, premierën e Valton Beqiri “Motivet”, kryeveprën “Baresha“, nga Rexho Mulliqi e Bujar Llapaj si dhe “Passacaglia” nga Handel-Halvorsen.

Në këtë ngjarje festive të organizuar mjaft mirë nga ambasadorja Alma Lama me bashkëpuntorët e saj të Ambasadës së Kosovës në Romë si znj. Lirije Berisha, z. Ruzvelt Frrokaj, znj.Dafina Bakija, z. Arben Muhameti, z.Mehdi Ibrahimi, znj. Albina Gërxhaliu, znj. Ledina Sinani, etj., mori pjesë edhe një delegacion nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës i përbërë nga Z. Albert Prenkaj, drejtor i Drejtorisë Politikre të MPJ dhe ish-ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Romë , Znj, Shkëndije Sherifi-Geci, ambasadore e posa emëruar e Kosovës në Suedi, z. Ilir Dugolli, z. Mentor Nazarko këshilltar i ministrit punëve të jashme Behxhet Pacolli, znj.Gjeneza Budima, etj. që ndodheshin në vizitë zyrtare në kryeqytetin e Italisë ku kanë zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të parlamentit dhe qeverisë italiane.

Mbrëmja festive u përmbyll me një koktej rasti me ç’rast mysafirëve iu shërbye edhe verë originale  e prodhuesve kosovare.

Në mbyllje të festës, mysafirët u shpërndanë të kënaqur dhe plot fjalë falenderimi për ambasadoren Alma Lama duke i uruar suksese të reja asaj dhe shtetit të Kosovës  cilin e përfaqësoi në mënyrë dinjitoze ajo gjatë këtyre dy viteve të mandatit të saj në Romë.

Urime shkëlqesi Alma Lama, Urime Kosovë njëmbëdhjetvjetorin e pavarësisë.