Shkencëtarët gjejnë arsyen se përse në Ballkan ka më pak vdekje nga COVID-19 se Perëndimi

06.05.2020 16:03:41

Ndërsa COVID-19 u përhap njësoj si në Evropë, interesant është fakti se numri i viktimave ishte më i pakët në shtetet ballkanike dhe Skandinavi, krahasuar me shtetet e tjera perëndimore.

Studiuesit në Universitetin e Gentit në Belgjikë kanë arritur një përfundim se përse ka ndodhur kjo gjë. Ata besojnë se ndryshimet gjenetike midis banorëve mund të shpjegojnë ndryshimet në numrin e vdekjeve.

Sipas gazetës belge “La Libre”, ekspertët kanë arritur në përfundimin se ashpërsia e pandemisë ndikohet nga karakteristika të caktuara gjenetike.

Ata gjetën një lidhje midis gjenit ACE1 dhe zhvillimit të virusit koronar dhe arritën në përfundimin se sa më shumë njerëz në një vend kanë polimorfizmin D të atij gjeni, aq më pak vdekje ka nga sëmundja COVID-19 në atë vend.

Polimorfizmi është shfaqja e varianteve të shumta të të njëjtit gjen brenda një popullate të vetme.

“Sa më tej shkojmë në Evropë, në lindje, aq më e zakonshme është polimorfizmi DE ACE1”, shpjegoi Prof. Joris Delanghe, që gjithashtu tregoi se ashpërsia e epidemisë po shihet duke zbritur nga Evropa Perëndimore në atë Qendrore dhe Lindore.

Shkencëtarët vlerësojnë se deri në 41 përqind të ndryshimeve në ashpërsinë e një pandemie në vendet e veçanta mund të shpjegohen nga incidenca e polimorfizmit.