Shkodër, qindra banesa nën ujë

23.03.2018 12:49:25

Bashkia e Shkodrës ka dhënë informacion mbi situatën e krijuar nga përmbytjet në kryeqendrën e veriut.

Pas inspektimeve të bëra në terren në njësitë administrative të përmbytura, raportohet se sipërfaqja e përmbytur ka arritur rreth 4955 ha, 3 ha më pak se një ditë më parë. Ndërkohë që qindra banesa janë të rrethuara, uji ka hyrë në dhjetëra banesa dhe në disa shkolla.

Situata në Shkodër

Njësia Administrative Dajç

Sipërfaqja e përmbytur ka qenë rreth 1750 ha:

Mbi 300 banesa kanë qenë të rrethuara nga uji.

Në disa shkolla në ambiente të brendshme ka pasur prezencë uji.

Kërkohet furnizim me ujë të pijshëm për banorët.

Shërbimi vendor i MZSH Shkodër ka hequr ujin me 6 forca, 1 automjet dhe 6 pompa.

Rruga Shirq-Darragjat, rruga Belaj-Pentar, rruga Bishti i Qarrit dhe Urrela, janë të bllokuara.

Njësia Administrative Ana e Malit

Sipërfaqja e përmbytur ka qenë rreth 1300 ha.

Ujësjellësi Oblika 1 dhe Oblika 2 janë jashtë funskionit.

Rreth 177 banesa kanë qenë të rrethuara nga uji: 150 banesa në Obot dhe 27 banesa në Goricë. Lagja Goricë është totalisht e izoluar. Rruga e fshatit Obot kalohet vetëm me varka.

Njësia Administrative Bërdicë

Sipërfaqja e përmbytur ka qenë rreth 1280 ha.

Rreth 100 banesa kanë të rrethuara nga uji.

Stacioni i pompave të Ujësjellësit në Trush ka qenë jashtë funskionit si pasojë e përmbytjeve.

Njësia Administrative Velipojë

Sipërfaqja e përmbytur ka qenë rreth 410 ha.

Në fshatin Luarz del uji nën argjinaturë, por dhe në atë të Çasit paraqitet shumë problem. Kërkohet ndërhyrje emergjente.

Rruga nacionale Shkodër-Velipojë vazhdon të jetë e pakalueshme.

Fshati Luarz ka qenë pa energji elektrike.

Njësia Administrative Rrethina

Sipërfaqja e përmbytur ka qenë rreth 70 ha.

Në zonën e Livadheve kanë qenë 17 banesa të rrethuara nga uji. Në 3 banesa ka hyrë uji brenda.

Njësia Administrative Guri i Zi: Sipërfaqja e përmbytur ka qenë rreth 10 ha.

Në fshatin Juban vazhdon gërryerja e tokës në afërsi të Malit të Vukatanës. Paraqitet shumë problematike kjo dukuri pasi mund të rrezikohet argjinatura.

Qyteti Shkodër

Sipërfaqja e përmbytur në zonën e Livadheve ka qenë rreth 135 ha.

Me prezencë uji ka pasur në mbi 70 banesa afër oborreve të tyre. Me shumë vështirësi është kaluar me automjete të larta të ushtrisë, ndërsa në disa zona kalimi është bërë vetëm me varka. Në lagjen Ajasëm ka pasur rreth 3 ha tokë të mbuluar nga uji. Në 13 banesa ka pasur prezencë uji.

Shërbimi vendor i MZSH Shkodër ka hequr ujin me 4 forca, 1 automjet dhe 1 pompë.

Bashkia Shkodër ka bërë evakuime të banorëve dhe gjësë së gjallë kur janë paraqitur nevojat. Rreth 69 persona janë akomoduar në konvikt.

Gjithashtu, bashkia Shkodër dhe strukturat operacionale vendore dhe qendrore kanë bërë të mundur lëvizjen e banorëve dhe akomodimin e tyre tek të afërmit e tyre.

Duhet të merren masa për furnizim me klor për dizefektim për zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit.

Insistojmë në kërkesën tonë të vazhdueshme për shpalljen e emergjencës civile në një pjesë të territorit të Bashkisë së Shkodrës pasi situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin.

Bashkia Shkodër është e angazhuar në monitorimin dhe përgjigjen në çdo kohë të nevojave emergjente të banorëve.