Shkodër, sekuestrohen 23 ha tokë, ishte përfituar me dokumente të falsifikuara

24.03.2017 16:16:08

 

Prokuroria e Shkodrës bën me dije se shtetasi Vatë Lari, pronari i tokës, pasi e ka përfituar pronën e ka shitur atë menjëherë dhe është larguar në drejtim të Francës.

“Prokuroria e Shkodrës nisi hetimin në bazë të kallëzimit të një shtetasi dhe, deri në këtë fazë të veprimeve, ka krijuar dyshime të arsyeshme se përfituesi i kësaj prone, Vatë Lari, duke falsifikuar dokumentet zyrtarë të komunës dhe të komisionit të kthimit të tokave, është bërë në vitin 2013 pronar i sipërfaqes prej 23 hektarësh, të cilën e ka shitur menjëherë dhe më tej është larguar në drejtim të Francës”, thuhet në njoftim.

Për rastin janë marrë në pyetje edhe Nikoll Marku, ish-kryetar i komunës Velipojë, si dhe Marash Keqi, punonjës i zyrës së bujqësisë, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë nënshkruar ndonjë dokument të tillë. Edhe ekspertimi grafik i shkrimit ka provuar se shkresa e komunës nuk është e tyre dhe ajo është falsifikuar.

Toka i është shitur një shtetasi tjetër më 5 tetor 2013, i cili ka deklaruar se ia ka blerë shtetasit Vatë Lari, që ndodhet prej vitesh në Francë bashkë me familjen.