Shkofshi e mos u kthefshi!

24.07.2019 11:31:57

Dreq e punë, pse mua kujtua kjo shprehje që iu thonim pelegrinëve-hagjinjëve që shkonin në Qabe, në Mekë e në Medinë?
-Po këta, çka janë ?
A po shkojnë edhe ”komandantët”, ”veteranët” e vetëm ”krahi i luftës” së UÇK-së në Hagë sikur ”hagjinjët” në Qabe?
Këta dy muajt e fundit, që nga Dita e Shën Gjergjit, jo vetëm që nuk kisha shkruajt të por as kompjuterin, nuk e kisha hapur.
Dje, pas më shumë se dy muaj, e bëra zemrën ”dushk” dhe pasi ia hoqa pluhurin kompjuterit tim të punës, pash se kisha shumë letra në E-mailin tim. Shumica e letrave ishin nga ish shokë të shkollës, kolegë të punës e miq te vjetër. Pyesnin: – Ku je, -çka të ka ndodhur, a të ka ndodhur diIçka e keqe ….?
”I nderuar Sinan, uroj te jesh mire. Ka kohe nuk kemi komunikuar. Sa po shoh, nuk je me aktiv ne fb. Me rendesi eshte te jeni mire e ne rehati.
Lajmerohu të lutem, kur te mundesh! (M. K)
Kështu më shkruante një mku im nga Prishtina e nga Tirana, R. Sh.më shktuante: ” …. të uroj pushim të mbarë e shëndet të mirë! Ke kohë pas pushimeve të merresh me aktivitete …”.

Ndërsa një grua nga Holanda më shkruante ”O ju faleminderit që kishe shkruajt për vëllain tonë që na kanë marrë ”shtabi i … në Drenofc të Zatriqit e nuk e dijm as vorrin ku e ka”. Në pyetjen time, a doni me më tregua ato që dini për vëllanin (….)? Ajo mu lut: -O të lutem mos ma përmend emrin se më thanë vëllezërit mos me folur se edhe deklaratat që i kanë dhënë, para organeve të hetuesisë, në kohën e UNMIK-ut, i kanë tërhequr sepse ”komandantët” i kanë kërcnua me fjalë ”Nëse nuk i tërhiqni deklaratat, kemi me iu kall të gjallë me rob e me shtëpi” 
Po çka po ndodh atje poshtë, në Kosovë (e në Shqipëri)?
Në Kosovë edhe dimrit është ”vapë” përcëlluese politike e në Shqipër, është edhe më keq.
Pasi u largova nga ”jeta” e ”pseudogazetarit”, kështu më quanin individë e ”organizata” të ”veteranëve”, shkova në ”pushime” në … Sarandë. Atje pasha ate që nuk e pritsha.
Në Sarandë kisha qenë para plot 40 vjetëve, në mes të Qershorit 1979, si mysafir i Univerzitetit Shtetëror të Tiranës. I vetmi kujtim që mbaj mend ishte, Hoteli Butrinti dhe për çudinë time më të madhe ishte ”Kujtimi”, që e takova te HB., një djalë i ri me të njëjtin emër, ”Kujtim” që i hapte dyert e oborrit të HB për mysafirët me makina.

Por të kthehemi në Kosovë.
Ngjarjet e këtyre muajve, ishin më të nxehta se edhe vapa e korrikut e era e jugut që vinte nga deti Jon, në teracën e ballkonit tim, afër Hotelit ”Santa Quaranta”.
Mua përveç letrave përshëndetëse, falenderimeve, më bombarduan me turli lloj fjale, si bashkëpuntor i pushtetit serbe etj. Merrja edhe letra kërnuese, fyese e ofenduese. Kishte të atillë që më shumë e donin kokën time se sa të kriminelëve që ata tash i quanin ”çlirimtarë”, ata që po e mbrojnë ”luftën e pastër të ”UÇK-së. Madje kishte të tjerë që  thonin : ”Haga është vendi ku mbrohet lufta e UÇK-së”.


Pasi e kisha përfundua një fejton për Drenofcin e Zatriqit, me titull ”A kishte organizim ushtarak, “Shtab” të UÇK-së dhe “luftë çlirimtare në Drenofc të Zatriqit e rrethinë?, në 7 vazhdime, filluan edhe linqimet e kërnimet me vdejkje kundër meje.
Më të zhurmshit ishin, ”shoqatat e veteranëve të luftës”, dega në Rahovec e disa argatë të tyre.
I vetmi që më doli në ndihmë, publikisht, ishte Idriz Zeqira, një ish mësues, shok shkolle i Ibrahim Rugovës e Jusuf Gërvallës e studnet i Dritëro Agallit e Dalan Shapllos. Në një opinion të tij me titull. ”Në peshojë “komandantët”, por edhe “heronjtë”!, Ai me të drejtë perkrah ato që kisha shkruajt unë. Por s`ka gje pse nuk kishte të tjerë.

Jo gjithmonë i vetmi nuk është se nuk ka të drejtë për ato që thot, thot E.Cabej kur flet për gjenealoginë dhe etimologjinë e dia fjalëve që e lidhin shqipen me ilirishten.
Por pas pakë kohe, sikur më ”harruan” mua dhe iu lyn Jusuf Buxhoviit, pse paska thëne: ”Lufta e UÇK-së nuk ka qenë e pastër”
Dhe shpërthyen reagimet nga më të ndryshmet, duke e fyer e kërcnuar. Nasim Haradinaj ishte i pari i të parëve. Ai tash është zëvëndës apo nënkryetar i Ngucatit, një kërkush hiçi. Ai në mes tjerash thotë se Buxhovi ka qëllime të shtyjë agjendën të cilin nuk mundi ta bëjë as Dick Marty dhe as Gjykata Speciale.
Një tjetër, një biqim ”profesori” me emrin Nezir Kraki do të shtonte ” ”Veç një i çmendur thotë se lufta e UÇK’së nuk ka qenë e pastër
Profesori dhe ligjëruesi në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki, ka thënë se vetëm një i çmendur mund të thotë se lufta e UÇK’së nuk ka qenë e pastër.
Kraki është përfshirë në debatin që është bërë së fundi rreth luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë ”se luftën e pastër të UÇK’së e dinë gjithë bota”.
O Zot, po ”e vogel” qenka bota ”me e ditë luftën e pastër të UÇK’së”, se s`kanë ata tjetër gjë më të menqur se sa e me u marrë me ” luftën e pastër të UÇK’së”.
Por më i zëshmi apo i zhurmshmi që qitke jargë për goje, ishte Gani Koci: ”UÇK-ja është dashur t’i spastrojë të gjitha mbeturinat e sojit të buxhovëve

”Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik dhe zyrtari i PDK-së, Gani Koci i ka reaguar shkrimatarit Jusuf Buxhovi, i cili deklaroi mbrëmë se lufta e UÇK-së nuk ka qenë e pastër.
Përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, Koci ka shkruar se para se të gjykohet pastëria e luftës së UÇK-së nga Buxhovi, duhet të përgjigjet për vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës e për arrestimin e grupit të Hysen Gegës…” shkruante Epoka.

Në këto debate shterrpë hyri edhe Jakup Krasniqi, matrapazi i ”luftës” e Ramush Haradinaj, i etur për pushtet, Liri Loshi një intelektual i mirfilltë dhe Donika Gervalla, qika e atdhetarit, Jusuf Gërvallës etj.

Dhe edhe Jusufi ”u harrua”, sepse Ramushin e Jakupin i thirrën në Hagë, si të dyshuar apo dëshmitarë, nuk ka rëndësi.
Dhe përsëri plasën sherri. Sharjet kundër ”armiqëve” të ”Luftës së drejtë e të pastër të UÇK-së, nuk kishin të ndalur.

Hashimi dhe ish partia ”demokrotike”, kësaj radhe nuk vjellën vrer. Nuk foli as Edi.

Dhe përsëri refreni i një ”kënge te vjetër” të një pllake gramafoni të prishur ”… ta mbrojmë luftën e pastër të …dreqit e djallit” . Fatmir Limaj do ti dalë në krah Jakup Krasniqit: ”Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së, asnjë gjykatë s’do ta arrijë ta njollosë atë”, thua se atje po gjykohet ”lufta” e jo individë që me të vërtetë janë më të përfolurit për punë të pista, të mbrapshta e vepra kriminale dhe prap të mbrohen nga ”shteti” e ta të shetisin nëpër hotelet luksoze e të udhtojnë me avionë privatë.

E për Ramushin, sikur mos të kishte tjetër ”komandant” e lider si ish lideri vdekur komunist i Kubës, Fidel Castro, qanin e gritheshin AAK-ja. Kada Bujupi, vajtojca do ta niste ”vajin” e para. Ajo do ta ”qante” Ramushin e do ta ta shante e shfryente kundër Hagës ”Ky nuk është gjyq, është sulm i pastër mbi luftën e UÇK-së”, fjalë se jo mahi.
E Naim Maloku, një ish oficer i ish APJ-së, një si pjatë fluturuese so të shkruante me inat e do të tregonte muskujt: ”S’ka bir nane që nënshkruan marrëveshje me Serbinë pa Ramush Haradinajn”, sikur Ramushi të ishte pronar i Kosovës,
Po, ai dhe të tjerët ”komandantë” e kanë zaptua Kosovën.
Komandantët që ”luftuan” dy vjet (lexo: dy ditë), na torturojnë 20 vjet (lexo: 22 vjet) .
I fundit (!!!! ????) edhe Pali i Lekajve, si me maje të guhës e gjel në pleh, do ti drejtohet Ramushit ”Dalsh faqebardhë, Kosovën e ke prapa” 
O Palo, po a don ti që krejt Kosova te shkojnë në Hagë a? Po a krejt populli shqiptarë i Kosovës, të akuzohet për KRIME e gjenocid a?
Eh mozomakeq (Më Zot më keq) që kemi këso teveqela në qeveri.
Por ndryshe do të shkruante Kimete Berisha për ”lotët” e Ramushit. Kimetja është, një Zanë Mali, si Orët e Malit e si Nora e Kelmendit. Është trimëreshë që syri vërr s`i bënë.

I bashkangjitem Kimetes: ”Komandantë” e ju ju ”liderë” që e zhvatët Kosovën, ju ”veteranë, mos u kthefshit më!

Këta ”komandantë” pjellë e keqe që ka bi si egjra nëpër gruanaja kanë vendosur te ”mbrojnë luftën e pastër të uçk-së në Hagë: mashtrues”, shkofshi në Hagë e mos u kthefshit në Kosovë”.

Ju nuk jeni të pastër e as ”lufta” juaj nuk është e pastër.

Sinan Kastrati, Suedi

Malmö, 24 korrik 2019