Shkolla “Elena Gjika” nuk përkrahë grevën e SBASHK-ut, nesër mban mësim të rregullt

13.01.2019 18:26:32

Edhe pse SBASHK-u, nesër ka paralajmëruar grevë të përgjithshme, në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë do të mbahet mësim i rregullt.

Përmes një njoftimi, thonë se i mbështesin mësimdhënësit, por grevën nuk e cilësojnë si mjetin të duhur për t’i zgjidhur problemet.

Shkolla jonë mbështetë kërkesat e mësimdhënësve që të ngritët koeficienti i pagës dhe të jetë i dinjitetshëm, të jetësohet statusi i mësimdhënësve të viteve 90- ta, por duke gjetur forma të tjera të grevës pa e dëmtuar procesin mësimor. Arsimi duhet të jetë prioritet i prioriteteve dhe të shpallet interes nacional”, thuhet në njoftimin e tyre.

Vendimin e shkollës fillore “Elena Gjika, e ka mbështetur edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Ymret Reshiti, i cili është kryetar i këtij këshilli, ka bërë thirrje që edhe shkollat tjera ta ndjekin këtë shembull.

“Keni dhënë shembull se si vlerësohet interesi i përgjithshëm para interesit personal. Ju mbështesim fuqishëm në të drejtën tuaj për ngritjen e pagave përmes dialogut social. Ju na bëtë krenar të gjithëve me aktin tuaj. Ftojmë mësimdhënësit e shkollave të ndjekin shembullin e shkollës “Elena Gjika” dhe të fillojnë procesin mësimor”, ka shkruar Reshiti në Facebook.

Ndërkaq, vendimi i SBASHK-ut për grevë ka ardhur si pasojë e pakënaqësisë së koeficientit të pagave për mësimdhënësit.

Kundër grevës ka dalë edhe ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi i cili ka thënë se greva do të dëmtojë nxënësit, duke theksuar se kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë institucionale.