Shkon në tre numri i të vdekurve nga coronavirusi në Shqipëri

22.03.2020 23:47:54

Një prej pacienteve me Covid-19, i cili po trajtohej në repartin Infektiv në Tiranë ndërroi jetë.

71 vjeçari nga Kuçova vuante edhe nga tumori në mushkëri, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.

I moshuari që ndërroi jetë mbrëmjen e kësaj të diele, përveç se ishte infektuar nga Covid-19, vuante edhe nga kanceri në mushkëri.

“Në stad tejet të avancuar” thuhet ne njoftimin zyrtar te Ministrisë së Shëndetësisë, e cila saktësoi se 71 vjeçari nga Kuçova qëndronte prej 7 ditësh në spital dhe gjatë mbrëmjes pati një komplikacion të menjëhershëm kardiak arterial.

71-vjeçari vuante nga disa sëmundje shoqëruese: Kancer mushkërie, diabet mellitus, fibrilacion arterial dhe hipertension.

Harta e infeksionit u zgjerua sot edhe në Korçe, sipas autoriteteve.

“Në 24 orët e fundit ..janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19… 8 qytetarë nga Tirana, 1 nga Kavaja, 1 nga Durrësi dhe  3 qytetarë nga Korça.

Paralelisht me rritjen e rasteve janë shtuar edhe pacientët që kanë nevojë për kujdes spitalor, ku aktualisht po marrin trajtim më shumë se 40 persona.

Tre pacientët e parë të identifikuar me koronavirus në 9 mars konsiderohen të shëruar dhe kanë lënë spitalin por mjekët theksojnë se ato do të vijojnë vetëkarantinimi në banesë për 14 ditë në vijim duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale