Shkrimtari Azem Deliu tregon si u sulmua në Skënderaj (Video)

24.02.2017 19:24:52

Shkrimtari i ri nga rajoni i Drenicës, Azem Deliu, ka folur për KALLXO.com për sulmin që kishte pësuar dje në Skënderaj për shkak të një postimi që e kishte bërë në Facebook dy javë më parë.

Komenti i shkrimtarit për veprat e të cilit janë interesuar edhe botues të huaj, është interpretuar nga disa të rinj si fyerje ndaj profetit Muhamed.

Deliu thotë se të mërkurën në mesditë, përderisa po shkonte te një kiosk në Skënderaj, ishte sulmuar nga tre persona të cilët kishin ikur menjëherë pasi e kishin kryer sulmin.

“Është bërë në pikë të ditës, në mënyrë plotësisht publike, unë jam sulmuar nga 3 persona të cilët kanë ikë menjëherë, e kam denoncu rastin në polici, Policia i ka zënë, ata e kanë pranuar fajin dhe habia më e madhe është që të njëjtit persona që më kanë sulmuar mua fizikisht në orën 12, janë parë nga qytetarët në xhami në faljen e mbrëmjes, rreth orës 18:00”, thotë Azemi.

Ai është i irituar se si prokurori nuk ka shqiptuar masë ndalimi për këta 3 persona.

Lirimin e këtyre tre personave e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Deri më tani janë 3 persona kanë qenë të arrestuar dy në cilësinë e të dyshuarve dhe një si dëshmitar. Pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt” ka thënë Zahiti përmes telefonit për KALLXO.com

Ndërsa Deliu thotë se përveç që është sulm ndaj tij, rasti i djeshëm është sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj gjithë atyre, që siç thotë ai guxojnë të mendojnë ndryshe.

“Dyfish më keq se sa sulmi fizik që e kam përjetuar, është kjo po përjetoj tash kur unë e di se një prokuror që do duhej të ishte garancë e jetës sime, është rreziku kryesor për të. Sepse liron nga burgu kriminelë”, thotë ai duke e bërë të ditur se nuk e ka takuar fare prokurorinë dhe se nuk e di kush ka qenë prokuror i rastit.

Ai për KALLXO.com ka treguar edhe komunikimin që e ka pasur me sulmuesit në momentin kur ata e kanë ndalur në rrugë.

“Saktësisht më është thënë, “A je ti ai që ke shkruar për profetin Muhamed?” Unë iu kam thënë “Po, kush jeni ju?” dhe menjëherë kanë filluar sulmet ndërkohë që ata përsërisnin qe kush jemi. Do me thënë po të tregojmë fizikisht…”, tregon Azemi gjersa flet për sulmin

Ai e ka bërë të ditur se rasti i djeshëm dhe mbështetja e madhe që e ka marrë nga të tjerët.

I riu që ka marrë mbështetje të gjerë nga opinioni në mediat sociale thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet së shkruari.

“Unë tashmë nuk guxoj të ndalem sepse nuk është më fjala për Azem Deliun, individ, por është fjala për luftën e intelektualëve të ri, që të kenë liri të shprehjes në këtë vend. Ky vend është europian, është perëndimor, nuk është pjesë e kulturës sonë mbrojtja e argumentit me dhunë, me grushta. Nuk ka shancë që unë të ndalem. Ata që kanë tentuar të më frikësojnë, janë në derën e gabuar”, thotë ai.

Deliu thotë se edhe më herët ka pasur kërcënime verbale, por jo edhe dhunë fizike.

Studenti i Letërsisë, Azem Deliu ka botuar kohë më parë romanin e parë “Puthësi i paligjshëm”, i cili ka arritur një sukses të madh.

Ai ka nënshkruar marrëveshje me një kompani anglezë për botimin e këtij romani në anglisht.

Ai thotë se është duke punuar në romanin e dytë, i cili megjithatë nuk pritet të botohet këtë vit.