Shkrumbohen pyjet, 10 vatra zjarri në 24 orët e fundit në Shqipëri

05.07.2017 12:46:37

Përgjatë 24 orëve të fundit, 10 vatra zjarri ka patur në disa qytete si Vlorë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Berat me dëme të mëdha materiale.

Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë megjithë vështirësitë e terrenit. Në fshatin Bogovë ra një zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të vështirë malor, zjarrfikëset kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit. Për pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 hektar me shkurre dhe pisha. Mëngjesin e së mërkurës vatra e zjarrit u riaktivizua dhe zjarri është vënë nën kontroll.

Në Fier e Lushnje kanë rënë 4 zjarre në pyje ku u dogjën 7 hektarë shkurre, ferra, ullinj dhe pisha si dhe rrezikohej një qendër e banuar, shkruan TCh.

2 vatra zjarri ka patur në Vlorë, ku për pasojë u dogjën rreth dy hektarë sipërfaqe me shkurre, pisha dhe ullinj.

Në Malësi të Madhe ra zjarr dhe u dogj një sipërfaqe rreth 1 dynym me bimë medicinale.

Për fikjen e flakëve në të gjithë operacionet janë angazhuar mbi 50 forca zjarrfikëse, 14 automjete, 20 forca të pyjores si dhe banorët e zonës.