Shoqëria kosovare ende nuk ka kapërcyer tabutë për ta vizituar psikologun

29.07.2017 23:45:53

Profesori i psikologjisë dhe Specialisti i Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë, Latif Hoxha, në një intervsitë për Lajm ka treguar se ndonëse shoqëria kosovare vazhdimisht po përballet me probleme psikologjike, si stresi, depresioni e ankthi, nuk ka arritur t’i kapërcejë tabutë në lidhje me problemet që lipset të kapërcehen duke u këshilluar apo trajtuar te psikologu.

 Kjo sipas tij ndodh kryesisht për dy arsye:

– mungesa e informacionit mbi atë se çfarë është psikoterapia dhe si mund të jetë ajo e dobishme për ta, dhe

– përvojat jo të mira me ata që thirrën në emër të psikologut dhe ofrojnë shërbime pa pasur njohuritë dhe kredencialet e mjaftueshme për një gjë të tillë.

“Kosova edhe pas kaq vitesh pas luftës nuk ka arritur të kapërcejë tabutë në lidhje me problemet psikologjike, pra ka hezitime për të shkuar te psikologu ose për të folur rreth problemeve psikike, duke e pare këtë si turp dhe duke ju frikësuar stigmatizimit nga shoqëria. Në fakt, numri i njerëzve me probleme të stresit, depresioni e ankthit në shoqërinë tonë po shënon gjithnjë rritje, më së shumti për shkak të ndryshimeve drastike në shoqërinë tone, ndryshimi i kohezionit dhe roleve në familje, zëvendësimi i papërshtatshëm i vlerave tradicionale me vlera të huaja etj.”

Sipas Hoxhës, klientet e tij kur vendosin që të trajtohen apo këshillohen, pyesin se a janë të vetëm që përballen me problem të tilla, e që siç ka thënë ai, problemet bëhen të pakapërcyeshme dhe të pamenagjueshme vetëm nëse hezitohet te shkohet te psikologu. Ai ka thënë se të përballesh me probleme të natyrave të tilla nuk është turp, ashtu sikurse nuk është turp të kesh probleme me zemren, veshin, apo ndonjë sëmundje të kësaj natyre. “Nëse vuajmë nga një çrregullim psikologjik, kjo nuk na bën më pak të vlefshëm se ata që nuk vuajnë aktualisht nga një i tillë. Askush nuk është imun ndaj çrregullimeve psikologjike ashtu siç nuk është askush imun edhe ndaj sëmundjeve tjera mjeksore” ka shtuar më tej Hoxha. Duke folur rreth intervalit dhe ndryshime të shoqërisë sonë, në aspektin kulturor e social, dhe duke bërë thirrje që t’u iket paragjykimeve. “Si profesionist i shëndetit mendor, rekomandoj fuqishëm tek të gjithë, që gjithsecili të përpiqet të kuptojë tjetrin që ka problem, të jenë në krahë të atyre që kanë nevojë për mbështetje qoftë edhe pa folur asnjë fjalë, thjeshtë të jenë aty për ata. Mbështetja e sinqertë e familjes, miqve e të afërmve, mbështetja sociale në përgjithsi, me ose pa psikoterapi, është e qenësishme në ndihmën e njerëzve të cilët përballën me një çrregullim psikologjik.”, ka thënë Hoxha.