Shorti i E. League, Anderlecht-United dhe Ajax-Schalke

17.03.2017 15:58:29

Manchester United është skuadra pretendente për të triumfuar në Europa League, ndërsa “Djajtë e Kuq” janë ndihmuar edhe nga shorti në Nion, ku u përcaktuan çiftet çerekfinaliste të turneut.

Skuadra e Jose Mourinhos do të ketë në rrugën e saj Anderlechtin, në një duel ku niset si superfavorite, falë yjeve si Zlatan Ibrahimovic e Paul Pogba, por ku duhet patur kujdes pasi belgët kanë eliminuar në rrugën e tyre Apoel-in dhe Zenitin.

Pas eliminimit në turet e kaluara të skuadrave si Roma, Villarreal, Shakhtar Donetsk dhe Athletic Bilbao ekipi për tu mposhtur mbetet Manchester United, që në letër ka një skuadër shumë më cilësore se rivalet e tjera.

Përveç gjigandëve anglez, një tjetër aspirante për trofeun e Europa League është Lyon. Shorti i vendosi francezët përballë turqve të Beşiktaş, në një duel që do të jetë spektakolar për futbollin që praktikojnë dy skuadrat.

Përballje ndërmjet dy emrave të mëdhenj edhe ai ndërmjet Ajax dhe Schalke. Një tjetër duel tejet interesant ai i shkollës holandeze përballë “bluve mbretërorë”, që janë jashtë çdo objektivi në Bundesligën gjermane dhe kërkojnë të shpëtojnë sezonin.

Spanjollët e Celta Vigo do të sfidojnë një tjetër skuadër belge, Genk-un, që triumfoi në derbin përballë Gent. Ndeshjet çerekfinale të Europa League do të luhen në datat 13 dhe 20 Prill, me emocionet e rrugës drejt finales së 24 Majit në Stokholm që si zakonisht do të vijnë live dhe ekskluzivisht në Supersport.

Europa League/ Çerekfinalet

 

Anderlecht – Manchester United

Celta Vigo – Genk

Ajax – Schalke

Lyon – Besiktas

 

* Ndeshjet do të luhen më datë 13 dhe 20 Prill. /supersport.al/