Shorti, Panuçi nuk trembet: Do luajmë fort për vendin e parë

24.01.2018 16:08:15

Skocia dhe Izraeli dy kundërshtarët e Shqipërisë në grupin 1 të Ligës C në Nations League ose Ligën e Kombeve kompeticionit më të ri të organizuar nga UEFA, janë rivalë shumë të fortë sipas trajnerit të kuqezinjëve Kristian Panuçi, por italiani i stolit të Shqipërisë është i bindur se skuadra që ai drejton i ka të gjitha mundësitë për ta mbyllur grupin në vendin e parë.

“Është një grup shumë i ekulibruar. Skocia dhe Izraeli janë skuadra shumë të mira por edhe Shqipëria është një ekip shumë i fortë. Është një grup me 3 skuadra që të jep më pak mundësi për të gabuar. Do të rivalizojmë fort për vendin e parë”.

Edhe pse do të preferonte një grup me 4 skuadra, Panuçi beson te triumfi në grupin 1 të Ligës C.

“Është e vërtetë që do të preferoja një grup me 4 skuadra por edhe 3 ekipe jam i kënaqur, ne do të luftojmë deri në vdekje për ta fituar grupin. Ne duhet të rrezikojmë duhet të tentojmë gjithçka për gjithçka dhe shpresoj t’ia arrimë qëllimit”.

Trajneri italian konfirmoi edhe faktin se deri në momentin që do të nisë Liga e Kombeve, Shqipëria përveç miqësores ndaj Norvegjisë do të zhvillojë edhe dy takime të tjera miqësore ndaj dy ekipeve që kanë siguruar kualifikimin në Botëror.

“Kemi një miqësore ndaj Norvegjisë dhe do të luajmë edhe ndaj dy skuadrave që do të marrin pjesë në Botëror por nuk mund t’i bëj publik emrat e kundërshtarëve”.

Panuçi është i përqëndruar vetëm te Nations League dhe nuk mendon ende për kualifikueset e Europianit”.

“Për momentin vëmendja jonë është te Nations League më pas do të mendojmë për kualifikueset e Europianit, pasi kjo është një mundësi e shkëlqyer për të shkuar në Europian”.