SHP i UÇK-së riktheu dënimet e shqiptarëve me ligjet e ish-Jugosllavisë dhe i hapi rrugë ndarjes së Kosovës mbi baza etnike

07.01.2017 21:10:10

Nga Rexhep Kastrati

Dënimi i Blerim Kuqit nga ana e Gjykatës Ushtarake të UÇK-së ishte bërë pjesë e debateve publike dhe medietike, dhe në ato debate ishte i përfshirë edhe gjykatësi që e kishte dënuar atë: Sokol Dobruna. Në një intervistë në emisionin Info Magazinë të Klan Kosovës, siç shihet edhe në foton  në fund të shkrimit, Sokol Dobruna, përveçse ka pranuar se ka dënuar Blerim Kuqin me pushkatim, ka pohuar se baza ligjore për dënimin e tij ka qenë e ish-Jugosllavisë. Dhe bëhej fjalë për vitet 1998-1999, pra rreth një dekadë pasi që ishte shembur vetë shteti jugosllav, dhe kur trashëgimtare e saj ishte bërë e ashtuquajtura RFJ, e më pas shteti Serbi/Mali i Zi, dhe kur kishte 7-8 vite që Kosova kishte shpallë pavarësinë e saj. Në këtë mënyrë, shqiptarët u gjendën përballë dy formave të dënimeve dhe të pasojave edhe me jetë: nga regjimi i Milosheviqit, dhe nga linja e Tiranës/Kretës që dënonte me ligjet e ish-Jugosllavisë. Në këtë mënyrë, ishte bërë e qartë se linja e Tiranës/Kretës ishte paraqitur për të rikthyer dënimet e shqiptarëve me ligjet jugosllave, me ato ligje që ishin dënuar shqiptarët për një K.R., për një grafit të thjeshtë, por edhe për pjesëmarrje në demonstratat e vitit 1981, 1989 etj. Ky është edhe një argument më tepër për të kuptuar se linja e Tiranës/Kretës kishte dalë që bashkë me linjën udbasho-jugosllavokomuniste të rrënonin organizimin politiko-institucional të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, dhe për t’i hapur rrugë ndarjes etnike të Kosovës dhe për të krijuar parakushtet për ndarjen përfundimtare të saj. Dhe gjithë vitet e pasluftës në Kosovë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë vite të realizimit të ndarjes përfundimtare të Kosovës, që po pretendohet të bëhet gjatë këtij viti dhe në vazhdim. Prandaj, edhe zhvillimet e këtyre viteve, sidomos këtyre dy viteve të fundit, janë vetëm vazhdim i angazhimeve të Serbisë dhe të aleatëve të saj për të rrënuar bazën institucionale dhe juridiko-kushtuese të shtetit të Kosovës, ashtu sikurse në vitet 1998 – 1999. Dhe janë po ata që rikthyen dënimet e shqiptarëve me ligjet e ish-Jugosllavisë në fund të shekullit XX, që po ashtu po bëjnë përpjekje për të rrënuar sërish shtetësinë e Kosovës.

Tash janë në lojë tri opsione: 1. Rikthimi i Kosovës në gjendjen para vitit 2008; 2. “Republika Srpska” në Kosovë, dhe; 3. Ndarja përfundimtare e Kosovës.

Në realizimin e njërit prej këyre opcioneve janë të angazhuara të dy linjat: e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste. PDK dhe AAK janë për t’u angazhuar për krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë, kurse sekta okulte e Albinit është për ndarjen e Kosovës drejtpërdrejt, ose duke u rikthyer në gjendjen para vitit 2008.

LDK ka qenë dhe është jashtë këtyre skenarëve, prandaj ashtu siç është sulmuar më 1998 – 1999, ashtu është duke u sulmuar edhe tash.

Në fakt, ardhja e LDK-së në krye të Qeverisë së Kosovës është bërë edhe për të penguar krijimin e “Republika Srpskës” në Kosovë, edhe për të penguar ndarjen përfundimtare të Kosovës, apo edhe rikthimin e gjendjes para vitit 2008. Dhe Asociacioni është mekanizmi që mundëson këtë, por të cilin nuk e duan serbët, sepse nuk ofron kompetenca ekzekutive, prandaj edhe kundërshtohet edhe nga sekta okulte Albinit. Në fakt, një premtim të këtillë, serbët mund ta kenë marrë nga Hashim Thaçi, kurse serbët to votonin transformimin e FSK-së në FAK, pra jo në FARK, dhe me kompetenca të kufizuara dhe me pamundësi për të operuar në veri të Kosovës, ashtu edhe siç parasheh edhe marrëveshja e 19 prillit 2013. Dhe këtë mund ta kenë hetuar amerikanët, prandaj edhe ish-ambasadorja amerikane, Trejsi An Xhekobson kishte paralajmëruar që të kihet kujdes se mos po krijohet “Republika Srpska” në Kosovë.