Shpend Ahmeti jep leje të ndërtimit aty ku e refuzoi Isa Mustafa

04.10.2016 13:38:47

Jo një herë, kryetari Shpend Ahmeti ia ka përmendur ish administratës komunale se lejuan degradimin e kryeqytetit më ndërtime pa leje e me leje. Por, një leje të ndërtimit, administrata e Ahmetit dyshohet se e ka lëshuar në kundërshtim me Planet rregulluese në fuqi. Në këtë lejë janë të përfshirë edhe eksponent të Lëvizjes Vetëvendosje

Vetëm pak metra larg magjistrales Prishtinë –Ferizaj, në lagjen Kalabria ka nis të marrë formë një objekte shumë banesore që është investim i kompanisë ndërtimore “Konak”. Kjo kompani ka marrë leje në vitin 2014 për ndërtimin e objektit shumë banesorë të përzier me afarizëm, por dyshohet që është duke u ndërtuar në kundërshtim me Planin Rregullativ të lagjes “Kalabria”, i cili është në fuqi, pasi në atë pjesë ishin paraparë sheshe, lulishte, çerdhe. Për të zënë vend objekti janë prerë e shkulur dhjetëra pisha shumë vjeçare që ndodheshin në atë zonë. Nëse nuk ka interes nacional, prerja e pishave është vepër penale, raporton lajmi.net.

Ndërkaq, hartimin e projektit të objektit shumë banesorë e ka bërë  kompania e “B-Plan” në pronarë, Hamdi Binakaj. Hamdiu, është babi i Nol Binakajt i cili ka qenë kandidatë për Asamble nga radhët e Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit lokale. Në kohën sa është dhënë leja, Noli ka qenë pjesëtarë i Komitetit për Planifikim Urbanë në Komunën e Prishtinës, gjë që përbën rast të pa precedent, meqë anëtarët emërohen nga radhët e asamblesë. Thuajse në të njëjtin vend “Konak” e ka marrë një leje të ndërtimit edhe në vitin 2015.

Jepet leja aty ku e kishte refuzuar, Isa Mustafa

Fillimisht, gjatë qeverisjes së kryetarit Isa Mustafa, kishte filluar t’i presë pishat kompania “Lesna” me aksionar ish deputetin e LDK-së, Hashim Deshishku, i cili kishte vënë pikë synim që të ndërtonte një objekte shumë banesore. Por, Inspektorati komunal ia kishte ndërpre punimet, pasi po ndërtonte pa leje, dhe nuk i kishte dhënë leje të ndërtimit. “Aty pat filluar të ndërtojë pa leje ‘Lesna’. Pat filluar duke i prerë pishat e para. Patën shkuar të gjitha mediat dhe qe bërë hallakam. Ne aty nuk i kemi dhënë leje. Mandej, me sa di Plani për aty nuk ka ndryshuar ende, me sa jam në dijeni nuk ka kaluar në Asamble në mënyrë që të ndryshohet. Aty ka qenë një rrugë paralele, i thoshim ne, dhe këta kanë dhënë leje aty. Nuk mund të them diçka më shumë, shikojeni Planin edhe e mund te shihni nëse lejohet aso nderimi që është bërë, dhe se lejohet prerja e pishave”, tha për lajmi.net ish drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Behxhet Musliu.

Hashim Deshishku, nuk ka dashur të prononcohet, lidhur me atë se pse kishte hequr dorë të ndërtonte në atë pjesë. Lidhur më këtë leje të ndërtimit, lajmi.net ka pritur disa javë, por nuk ka marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës.

“Konak”: Pishat i shkulem me rrënjë dhe i mbollëm rreth objektit

Kompania “Konak” në adresë të redaksisë ka dërguar Planin rregullues mbi bazën e të cilit e ka marr lejen e ndërtimit, si dhe,  ka dërguar kushtet ndërtimore për projektin, po ashtu ka dërguar dhe dy videot ku shihet duke u bërë zhvendosja e disa pishave.

“Ato pisha janë larguar nga vendi/zona e ndërtimit pra aty ku po ndërtohen blloqet A dhe B dhe janë mbjell rreth kompleksit Prishtina Stars Veternik”, thuhet në përgjigjen e “Konak”.

Megjithëkëtë, nga gjendja në terren shihet që shumica e pishave që janë lëvizur janë duke u tharë, ndërsa disa nga to janë prerë më mjete motorike. Lajmi.net ka kontaktuar edhe me kompaninë “CMA” e cila e ka hartuar Planin Rregullues të lagjes “Kalabria”. Arkitekti i kësaj kompanie, Kadrush Grezda ka hezituar të tregojë, nëse ndërtimet aktuale në atë pjesë janë në harmoni me Planin rregullues. “Meqenëse ka kaluar një periudhë kohore e gjatë që kur është hartuar ky Plan Rregullues dhe nuk kam informacione se si është zhvilluar ky plan, e njeherit a janë respektuar te gjitha parametrat urbanistik, mënyra e implementimit si dhe a është bere revidimi i tije. Sipas ligjit te planifikimit hapësinor nr.2003/14 ka qenë e detyrueshme që çdo plan rregullues të revidohet çdo 5 vite. Si duket kjo nuk ka ndodh gjerë më tani. Në aspektin visual nuk po mundem të identifikoi se a është duke u punuar sipas sugjerimeve për implementimin e këtij plani. Prandaj me attach po ju dërgoi pjesën tekstuale në bazë të së cilës mund të hulumtoni se a është implementuar ky plan sipas planit të implementimit të dhënë në këtë Plan rregullues (pika 13. MËNYRA E IMPLEMENTIMIT TË PLANIT RREGULLATIV)”, ka thënë Grezda.

Ai ka shtuar se në princip në Plane Rregulluese përcaktohen kushtet urbanistike për çdo bllok dhe se për implementim nevojitet një plan detaj urbanistik apo projekt urbanistiko-arkitektonik për çdo bllok të shënuar ne fleten grafike. “Prandaj prerja apo ruajtja e drujve-pishave varet nga zgjidhja e projektit urbanistik te çdo blloku nga kompani projektuese te licencuara”, shtoi tutje Grezda. /lajmi.net

20160930_105125