Shpëtim Idrizi, thirrje Ramës e Bashës: Pakt kombëtar për të zgjidhur krizën

31.03.2017 11:55:28

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ishte në një takim me mbështetësit e tij në Librazhd. Gjatë fjalës së tij, Idrizi shprehu kryesisht shqetësimet mbi krizën politike që ka mbërthyer vendin. Ndër të tjera ai tha: “Problemet e politikës nuk janë hallet e qytetarëve.

Shumë e vështirë është sot që të ulen politikanët shqiptarë bashkë, por po ulen kosovarët me serbët, nderkohë që po bëhen gati partitë politike maqedonase kundër shqiptarëve dhe ne si shqiptarë nuk ulemi dot bashkë me njëri-tjetrin. Ne kemi ftuar dhe po i ftojmë përsëri që të ulet Rama me Bashën dhe të bëjnë një pakt të madh kombëtar që ti hapin rrugën zhvillimit të Shqipërisë. Jo më konfliktualitetit! Të bëhemi bashkë për të jetësuar integrimin europian të shqiptarëve. Të bëhemi bashkë për të bërë të mundur përfundimin e reformës në drejtësi, si një ndër reformat më të rëndësishme, e cila do shëndoshë institucionet e Shqipërisë”.

Kryetari i PDIU-së gjithashtu propozoi që për të shmangur fenomenin e blerjes së votës, të ketë prokurorë specialë pranë KQZ-së.

“Kam dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe që flitet për vjedhjen e votës dhe padyshim këto janë fenomene që kanë ndodhur. Kanë ndodhur nga ato parti që sot po ankohen çdo ditë. Çdonjëri nga ju ka një pyetje. Pse blerja e votës qenka e dënueshme nga ligji vetëm kur u vidhet qytetarëve? Po kur dy partitë e mëdha na vjedhin neve partive të vogla votat, pse nuk është vjedhje kjo dhe tjetërsim i interesit qytetar? Prandaj ne propozojmë që një grup prokurorësh specialë të jetë pranë KQZ-së, në mënyrë që të veprohet urgjentisht në raste të blerjes apo transferimit të votave. Ne nuk pranojmë dot si parti e interesit kombëtar dhe interesit qytetar, që sot shqiptarët të blihen me 5 mijë lekë apo me një thes miell. Nuk pranojmë që sot të blihet dinjiteti i shqiptarëve”, – u shpreh z.Idrizi.

Për sa i përket reformës zgjedhore kryetari i PDIU-së theksoi se duhet të ketë një zonë zgjedhore dhe koalicionet të bëhen pas zgjedhjeve.

“Po dëgjojmë gjatë gjithë kësaj kohe ngujimin për reformën zgjedhore. Ne kemi detyrim që ti japim qytetarëve të Shqipërisë një sistem zgjedhor ku vota e tyre të jetë e barabartë, e drejtë dhe transparente. Kemi dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe që forcat politike kanë bërë një Kod Zgjedhor dhe ata administrojnë votat e të gjithë qytetarëve. Nuk mund të vazhdojmë më me parimin “Stalinist” ku populli voton dhe dy partitë e mëdha numërojnë. Pse forcat politike shqiptare të mos dalin të vetme në zgjedhje!? Çdo forcë politike të dalë përballë popullit, të marrë votat e saj dhe pastaj të bëjmë koalicionet. Të mos jemi të detyruar nga ky Kod Zgjedhor të vishemi të gjithë me bluzën e koalicioneve, ku diferencat midis nesh janë të mëdha. A e di ndonjëri prej jush përse Shqipëria është ndarë në 12 zona zgjedhore? Ne e dimë shumë mirë padrejtësinë politike që na ndau në 5 shtete. Prandaj ne propozojmë që partitë politike të hynë më vete në zgjedhje, të ketë një zonë zgjedhore dhe të kemi një propocional kombëtar. Pse duhet që vetëm partitë e mëdha të kenë numërues dhe kjo krijon tension. Ti depolitizojmë edhe komisionet edhe numëruesit. Në pamundësi për ta bërë këtë gjë, le të shtojmë numëruesit, të jenë prezent të gjitha partitë parlamentare dhe të numërojnë votat e qytetarëve”,- tha Shpëtim Idrizi para strukturave dhe simpatizantëve në Librazhd.