Shpikja e kirurgut shqiptar do të ndryshojë jetë njerëzish

04.01.2019 11:33:46

Dr. Halil Krasniqi, i cili jeton dhe punon në Gjermani, ka shpikur një instrument për stentim të dyanshëm pa prerje, i cili mundëson trajtimin e sëmundjeve të arterieve dhe venave të gjakut, pa prerje apo shpim të dyfishtë.

Dr. Krasniqi mban mbi supe mbi 15 mijë operacione dhe është ndër mjekët më të mirë në trajtimin e sëmundjeve vaskulare. Ai drejton një klinikë vaskulare dhe endovaskulare ne Pforzheim, Gjermani. Për trajtimin e zgjerimit apo ngushtimit te arterieve dhe venave nevojitet prerje kirurgjikale.

Dr. Krasniqi synonte që këto ndërhyrje të realizoheshin vetëm me shpim, për t’u siguruar pacientëve rikuperim të shpejtë. Deri më tani, kirurgët i trajtonin sëmundjet endovaskulare me një shpim në ije, në drejtim të zemrës ose këmbës, jo në të dy drejtimet njëherazi.

Nëse nevojitej një shpim i dytë, rrezikohej dëmtimi arteries apo hemorragi, “Shpikja e Dr. Krasniqit e quajtur Krassa, mundëson trajtimin e enëve të gjakut me nje shpim me gjilpërë duke mundësuar ballonimin dhe implantimin e stentave në çdo arterie dhe venë, në drejtim të zemrës dhe të këmbës, pa bere asnjë prerje, shkruan BalkanWeb.

Dr. Krasniqi do të ndihmojë kirurgë, angiologë, kardiologë dhe më e rëndësishmja, pacientë në të gjithë botën.