Shpikja që shpëton jetë: Itali, një respirator për dy pacientë

21.03.2020 08:58:05

Quhet Marco Ranieri, është 60 vjeç dhe drejtor i Njësisë së Anestezizë dhe Terapisë Intensive në poliklinikën Sant’Orsola të Bolonjës. Së bashku me dy kolegë të tij, kanë ideuar një mekanizëm që arrin të lidhë me një ventilator pulmonar jo një, por dy pacientë.

Mekanizimi u prodhua për 72 orë në një kompani të Mirandolës, u testua dhe ka dhënë tashmë rezultate pozitive.

“Një ide e thjeshtë, por gjeniale që mund të ndihmojë shumë repartet e terapisë intensive në Itali e në mbarë botën”, thonë ndjekësit në Facebook. Italia është kthyer tashmë në vatrën e re të sëmundjes në botë.

Mjekët atje përballen çdo ditë me sfidën e madhe për të shpëtuar jetë, përballë një situate që nuk po njeh përmirësim. Një nga qytetet më problematike është Bergamo, i cili ka nisur të krahasohet me Wuhanin për nga përmasat e përhapjes së sëmundjes.

Italia është tani praktikisht në duart e punonjësve të saj të shëndetësisë. Pavionet e kujdesit intensiv në spitale kanë seksione me nga 10 pacientë secili, dhe një mjek dhe me katër infermierë që punojnë me turne tetë-orëshe.