Shporeti shpëtoi pesë jetë në Hasanbeg gjatë vërshimeve

13.08.2016 16:28:36

Asnjë shporet i bardhë i druve nuk është bërë për të shpëtuar jetë. Aq më pak duke i hipur përmbi.

Ata, thjesht, janë bërë të ngrohin dhomat ku vendosen. Edhe të pjekin e ziejnë ushqime të ndryshme, në rast se këtë e shohin të arsyeshme, të zotët e shtëpisë.

Një shporet i tillë i bardhë i druve, nuk ishte duke u shfrytëzuar për këto qëllime, të shtunën mbrëma, në një shtëpi të lagjes Hasanbeg të Shkupit. Ai thjesht, po shërbente si “dekor” në njërën prej dhomave përdhese të Mensur Mustafës, në rrugën Anton Popov. Mbase për shkak të peshës, ai nuk ishte larguar as verës nga dhoma.

Por, Mensuri, një burrë flokëthinjur rreth të tridhjetave, ia pa hairin shporetit të lënë në kuzhinë. Kjo orendi ishte e vetmja gjë të cilën nuk e lëvizi uji i shumtë, që sa hap e mbyll sytë mbushi shtëpinë e tij, të shtunën mbrëma. Duke ditur këtë, gruaja dhe katër fëmijët e Mensurit hipën mbi shporet, duke qëndruar më tepër se tri orë aty. Gjatë gjithë kësaj kohe, ata po përjetonin tmerrin më të rëndë që mbase do ta kenë parë gjithë jetën. Uji po hipte nivelin e tij, me shpejtësi, duke mberritur lart e më lart. Në fazën më kritike, u erdhi deri në fyt. Shejhazja bente çmos, duke i ngritur katër vajzat sa më lart që mundej, derisa preknin në tavan.

Mensurin nuk e kishte idenë çfarë po ndodhte në shtëpinë e tij. Ai, bashkë me nënë dhe dajën, kishte shkuar të nje teze e veta, në një fshat tjetër të Shkupit.

“Kur nisi shiu edhe aty ku isha, trupi nisi mos me u rehatu “, tregoi ai të premten, për klankosova.tv, derisa e vizitonte shtëpinë e përmbytur deri në shkatërrim. “I thashë nanës po shkoj se diçka më kapi një siklet i madh “.

Në kësi situate, atij do t’i duhej shumë kohë të vij në shtëpi. Shiu që nisi qetë, por vazhdoi rreptë, po bënte që ujrat e bjeshkëve të Malit të Zi të Shkupit të mblidheshin e të rridhnin poshtë, me vrull. Nuk ishte dashur shumë kohë të vërshohej autostrada Shkup-Kumanovë, fshati Kaminik, në anën e djathtë të saj, e më pas edhe lagjia Hasanbeg.

Hasanbeg shporet 1

Meqë rrugët ishin mbushur ujë dhe lëvizja me makina nëpër to ishte e pamundur, Mensuri vazhdoi këmbë.

“Më dukej se nuk do të arrija kurrë”, thotë ai në dhomën e pritjes së shtëpisë së tij përdhese. “Trupi më ishte ligështuar shumë”.

Mensuri do të mund të merrte vesh si e ka familjen, sikur të punonte telefoni. Por gjithçka ishte ndalur në Hasanbeg, për shkak të vërshimit të rrufeshëm. Rryma dhe lidhjet telefonike po ashtu.

Dhe për fat të tij, e për sherr të gruas e familjes, mbase më mirë që linjat e dritat kishin ikur dhe që ai nuk po e kontaktonte askë në shtëpi e fqinjësi. Po ta bënte këtë, Mensuri me gjasë, do të vdiste, nga trishtimi që do ta kuptonte se po mbretëronte.

Gruaja e fëmijët po i luanin me shpirt. Uji u kishte ardhur deri në fyt, pavarësisht që kishin hipur mbi shporet.

“A po e sheh, uji vetëm sa nuk ka mbërritur në tavan”, thoshte ai të premten, derisa tregonte me dorë nivelin deri ku kishte arritur uji. “Gruaja më ka treguar se e kishte kapur një thikë dhe me të është munduar të bëjë vrima në tavan, duke shpresuar se mund të bëjë dicka për të dalë andej”.

Por këtë nuk do ta bente kurrë ajo.

Për të dhe Moalën, Hafsanë, Mervenë dhe Nakijen, ishte rezervuar një fat tjetër, megjithatë.

Ai, me vullnetin e Zotit, siç thotë vetë Mensuri, ishte caktuar të jetë në duart e fqiut Sylejman Sylejmani.

Ky kishte arritur disi të shpëtojë vetën dhe familjen e tij, duke ngjitur të gjithë na katinë e dytë të shtëpisë trikatëshe, para asaj të Mustafajve. Kur i kishte “rehatuar” të vetët, Sylejmani kishte dëgjuar disa zëra nga prapa shtëpisë së vetë. Njëherë kishte menduar se Mensuri dhe vëllai i tij, Firketi, po largoheshin pa u dëmtuar. Por, zhurmat nuk ndaleshin.

“Dola të shoh prapa çfarë po ndodh pasi kishte shumë britma”, tregon Sylejmani, që ka një dorë të lënduar, pasi ishte rrezuar nga ballkoni i tij poshtë në tokë, duke tentuar të shpëtojë veten dhe fqinjtë. “Në shtëpinë e Mensurit dikush po e lëvizte një dritë me telefon. E kuptuam që kanë nevojë për ndihmë urgjente”.

Ai kishte thirr menjëherë dy djem të lagjes, Orhan Mehmetin dhe Admir Muharremin për të shkuar te Mustafajt. I pari kishte mësyrë shtëpinë e Mensurit, e i dyti atë të vëllait të tij, Fikretit. Në të parën ishte nëna me katër fëmijë, në të dytën gjyshi me pesë nipër e mbesa. Për shkak të nivelit të madh të ujit, mezi kishin arritur të shtëpia që Mensuri e ndan përgjysmë me vëllanë dhe babain.

“Kur e hapa derën, pasi e theva, uji ma solli me derën kufomën e bacës Bajram. Unë e pashë që ai kishte vdek dhe e shtyva mënjanë, sepse doja t’i shpëtoja fëmijët”, thotë Admiri teksa nga dera e shtëpisë tregonte çfarë kishte ndodhur të shtunën. “Fëmijët më thanë që gjyshi dhe një vëlla shkuan, por unë u thashë të mos flasin e të bëjnë siç u them unë. I kam marrë një nga një, në krah, dhe i kam nxjerr”.

Ata ia kishte dhënë Sylejmanit, për t’i dërguar në shtëpinë e tij.

Por, jo të gjithë fëmijët që ishin këtu, shpëtuan. Pos gjyshit të tyre, Bajramit, uji ia mori shpirtin edhe një djali 2 vjeç.

Hasanbeg shporet 2

E në hyrjen tjetër të shtëpisë, po vazhdonte tmerri i jetës me vdekjen. Në të kishte hyrë disi Orhani, që të premten nuk ndodhej në Hasanbeg. Ai kishte kaluar pjesën e parë të shtëpisë, për të depërtuar të shporeti, ku kishin hipur Shejhazja me vajzat, më e madhja 9 vjet, e më e vogla dy e gjysmë. Më pas i kishte nxjerrë të gjallë, të gjitha.

“Orhani më ka thënë se janë dashur vetëm edhe 5 centimetra ujë për t’i mbuluar të gjitha”, thotë Sylejmani, që ka ngjitur të gjithë në katin e dytë të shtëpisë së tij, pasi i ka marr nga Orhani. “Është e pamundur ajo që ka ndodh”.

Mensuri ende nuk po dinte gjë. Ai po bënte çmos për të arritur te shtëpia, duke rrezikuar jetën e tij në ujrat që kishin përmbytur si asnjëherë më parë Kamnikun dhe Hasanbegun. Mbërriti dikur vonë. Disa fqinjë u habitën kur e panë vetëm.

“Ku i ke fëmijët, më thanë? Nuk di gjë, u thashë!”, tregon ai.

Në shtëpinë e tij megjithatë nuk kishte arritur të hyjë, për shkak se ajo sa nuk ishte mbuluar e tëra. Sylejmani dhe babai i tij, nga kati i dytë i shtëpisë fqinje e thirrën dhe i treguan lajmin e mirë.

“Më thanë që fëmijët janë gjallë, por unë nuk besoja”, tregon Mensuri, duke vazhduar të ruajë qetësinë e zërit ende. “Kur kam hy në dhomën ku ishin fëmijët i kam kap katër herë në dorë, me kqyr a janë përnjëmend të gjallë a jo”.

Një javë më pas, ai vazhdon të kthehet në shtëpinë e tij, çdo ditë, për ta parë atë. Ajo ka mbetur si natën kur është vërshuar. Asgjë tjetër, pos shporetit të bardhë, nuk ka mbetur pa lëvizur nga vendi. Edhe po të jetë prishur, nuk është punë e madhe. Ai ka shërbyer shumë më tepër se që ka qenë paraparë dhe më dobishëm se çdo shporet tjetër i kësaj bote, me gjasë. Pos që ka ngrohur e pjekur shumë kohë, ka shpëtuar pesë veta.

Kjo më shumë se gjithçka tjetër ka rëndësi, pavarësisht se ndonëse baba dhe nipi në shtëpinë tjetër kanë vdekur.

“Ka qenë punë e Zotit. Ata dy kanë vdekur e gruaja ime dhe katër vajzat kanë pas me jetu, t’u hip mbi shporet”, thotë Mensuri.

Edhe të paktën 20 veta tjerë kanë vdekur në vërshimet e së shtunës mbrëma në këtë pjesë të Shkupit. Pesë tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur. Në mesin e tyre edhe një vajzë 16 muajshe.

Hasanbeg shporet 3