Shqetësime mbi mundësinë e shtimit të emigrantëve në Evropë

09.08.2016 20:37:00

Kriza e emigrantëve vazhdon të mbetet një nga temat më shqetësuese për autoritetet italiane.Gjatë orëve të fundit ka një rritje të nisjes së emigrantëve me anije të mëdha peshkimi me 6-7mijë persona nga Egjipti drejt brigjeve italiane. Gjithashtu në kufijtë me Francën si në qytetin e Ventimiglia e Komo mijëra emigrantë janë grumbulluar në pritje për të kaluar kufirin, duke shkaktuar gjatë dy ditëve të fundit protesta mes shoqërive civile e forcave të rendit.

Por ajo çka preokupon më shumë gjatë këtyre orëve është rreziku i mos respektimit të paktit të nënshkruar në muajin mars mes Turqisë e Bashkimit Europian përsa i përket emigrantëve që hyjnë në territorin turk përmes ishujve greke, me një vëmendje të veçantë ndaj emigrantëve sirianë. Mos respektimi i kësaj marrëveshje nga ana e qeverisë së Ankarasë mund të shkaktojë që Europa do t’i duhet të përballojë mbërritjen e rreth 3 milionë emigrantëve, mes të cilëve 2 milionë e 800 mijë janë vetëm emigrantë sirianë,  për të cilët sot Turqia është një portë për të mbërritur në Europë.

Pikërisht mbi këtë rrezik, Ministria e Brendshme italiane me anë të kreut të Departamentit të Lirisë Civile e Emigracionit, Mario Morcone në të përditshmen italiane “La Republica” është shprehur se “Mos respektimi i marrëveshjes nga ana e Turqisë do të përbënte mbi të gjitha një problem që do të prekte sidomos Greqinë”.