Shqipëri: Ministrja, Etilda Gjonaj në Bundestag: Vettingu dhe reformat garanci për BE-në

05.06.2018 15:41:14

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi sot një seancë dëgjimore me një grup deputetësh të Parlamentit Gjerman të kryesuar nga Florian Hahn, pjesë e Komisionit për Çështje Evropiane.

Hahn, në fjalën e tij të mirëseardhjes vlerësoi praninë e delegacionit shqiptar në kushtet kur edhe Bundestagu shumë shpejt do të marrë një vendim për qëndrimin që do të mbajë Gjermania mbi rekomandimin e Komisionit të BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Në fjalën e saj, Ministrja bëri me dije që rekomandimi i Komisionit të BE për hapjen e negociatave me BE është një vlerësim për të gjitha arritjet e Shqipërisë deri më tani.

Ministrja Gjonaj u ndal në arritjet e deritanishme të reformave në Shqipëri, duke u fokusuar në ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe rëndësinë e krijimit të një sistemi gjyqësor transparent.

“Ajo vlerësoi asistencën teknike dhe financiare të ofruar nga Gjermania si pjesë e misionit EURALIUS që nga fillimi i kësaj reforme, si dhe në zbatimin e saj. Më pas, ajo i njohu deputetët me rezultatet e para të prekshme të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe me mbështetjen e Qeverisë shqiptare për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, veçanërisht ngritja e dy Këshillave, si organet përgjegjëse të ngarkuara nga Kushtetuta me mirëqeverisjen e sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë.

Ministrja Gjonaj bëri me dije masat që Qeveria shqiptare ka marrë për të forcuar luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe krimit të organizuar.

Në pjesën e dytë të takimit, delegacioni shqiptar iu përgjigj pyetjeve të deputetëve. Këta të fundit, ndër të tjera, shprehen interesin e tyre për të ditur më shumë mbi ecurinë e procesit të vetingut dhe plotësimin e vakancave që do të krijohen si pasojë e këtij procesi, mbi reformat për zhvillimin e shtetit të së drejtës si dhe reformën zgjedhore.

Ministrja e Drejtësisë i bëri me dije të deputetëve që pavarësisht fillimit të ngadaltë, procesi i Vettingut po ecën me një ritëm të kënaqshëm dhe është parashikuar që shumë shpejt do të përfundojë rivlerësimi i listës prioritare dhe më pas menjëherë mund të ngrihen organet e reja të sistemit të drejtësisë.

Gjithashtu, ajo bëri me dije që reforma në drejtësi dhe reformat e tjera që po ndërmerr Shqipëria për çështjen e pronave, përmirësimin e shërbimeve publike dhe derregullimin garantojnë forcimin e shtetit të së drejtës dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Gjonaj e përmbylli fjalën e saj duke u shprehur që reformat që po ndërmarrim, më shumë se sa një detyrë shtëpie në kuadër të integrimit në BE, janë perspektiva evropiane që ne duam t’i ofrojmë qytetarëve Shqiptarë. Ajo deklaroi se ne duam që qytetarët shqiptar ta gjejnë Evropën në Shqipëri.