Shqipëri/ 10 vjet nga tragjedia e Gërdecit, banorët kërkojnë drejtësi

11.03.2018 12:21:37

Në prag të 10-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, familjet e 26 viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësinë e munguar. Cikli ‘Gjurmë Shqiptare’ i gazetarit Marin Mema, është rikthyer në këtë zonë, për të risjellë zërin e banorëve, ndryshimet, presionin, dhimbjen si dhe kërkesën e tyre drejtuar prokurores së re, për të rihapur këtë çështje.

“I drejtohem Prokurores së re, që të na hapë një dritë jeshile dhe të na rikthejë shpresën e humbur, në qoftë se do vazhdojë. Pastaj, do vazhdojmë rrugën tonë, të kërkojmë drejtësi, siç kam kërkuar që nga dita e parë. Por po bëhet 10 vjet dhe pas kaq shumë kohësh, shpresat duket se po na humbin”, shprehet Shpresa Durda, një prej banoreve të prekura nga tragjedia.

Dua që të vihet në vend drejtësia. Të gjendet fajtori dhe të dënohet për atë çfarë na bënë ne”, thotë Uran Deliu, banor i atëhershëm i Gërdecit.

Ajo që mund të dallohet lehtësisht është se zona ka ndryshuar shumë, megjithatë nën Gërdecin e ri, ndodhet sërish ai i vjetër. Banorët nuk kanë harruar, përkundrazi.

“Kështu nga pamja e jashtme ka ndryshuar, pasi janë ndërtuar shtëpi të reja dhe t bukura, por nga brenda njerëzit jetojnë ende me makthet, apo brengën e tragjedisë. Janë si ajo molla e kuqe nga jashtë, por e kalbur nga vendi”, thotë një banore e Gërdecit.

Shenja e fundit në Gërdec është ky memorial që përfaqëson viktimat. Deri një vit më parë kanë qenë dy të tillë. Njëri i ngritur nga bashkia Vorë, ku shkruhej se ky ishte aksident teknologjik, dhe tjetri nga Ministria e Mbrojtjes së qeverisë së majtë. Banorët i hoqën të dy, duke lënë vetëm një të tillë, për të treguar se morti nuk mund të ndahet me ngjyrime politike.

10 vjet nga tragjedia e Gërdecit, asnjë zyrtar nuk është më pas hekurave. E gjithë kjo histori po kthehet gjithnjë e më shumë në një rrëfim të harruar.